Roland Bejko: Berisha ishte i dobët në Kuvend, jo më i pari! Nuk e do PD-në në pushtet, por e përdor për qëllime personale

Sekretari për Çështjet Vendore në Partinë Demokratike, Roland Bejko deklaroi në emisionin “Arnautistan” faktin që mbi 30 deputetë nuk morën pjesë në Kuvendin e Sali Berishës.
“Deputetët treguan që nuk dolën për Lulzim Bashës, por t’i bëjnë një rezistencë kthimit të Berishizmit. Në fjalën në Kuvend Berisha ishte i dobët, jo më i pari. Berisha pruri kolonën e vet në krye të PD, sepse ai nuk e do partinë për pushtet, por ta përdorë partinë si koracë për veten e vet. Partinë nuk e shpëtoi por e mori më qafë”, u shpreh Bejko.
Bejko deklaroi gjithashtu se ndihet i përdorur për kohën që i ka kushtuar PD-së, teksa shtoi se Berisha e pengonte që të ishte i pari në listën për deputetë, ndonëse baza ishte në favor të tij.
“I vetmi pishman që kam është që i kam kushtuar shumë kohë, dhe në aspektin financiar sa mundem, PD-së në vite. Ndihem i përdorur. E kuptova që duke qenë nga Lazarati nuk do mjaftonte vetëm përkushtimi dhe ndershmëria. Politikan s’kam qenë ndonjëherë sepse s’kam qenë në Parlament. Këtë e ka penguar me dashje Berisha. Më kanë vendosur të dytin në listë që unë të sillja ato vota që mos shkonin në parti të tjera, ndonëse kam qenë i kërkuar për të qenë i pari i listës. Në 2017-ën të kisha qenë unë, do kishim marrë dy deputetë sot”, tha Bejko.