Sot u shkarkua nga KPK, çfarë deklaronte Rama për Arjan Ndojën dy javë para atentatit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja.
Vendimi është marrë unanimisht, pasi prokurori nuk justifikonte pasurinë dhe kishte lidhje me botën e krimit.
Kujtojmë që Ndoja ishte shënjestër e një atentati, ndërsa po udhëtonte me automjetin tip “Benz” i llojit fuoristradë me targa ‘AA 333 ZD’, pranë Mbikalimit të Shkozetit në momentin që persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri drejt makinës.
Në këtë ngjarje, mbeti i plagosur vetë prokurori Ndoja dhe Aleksandër Laho, ndërkohë që Andi Maloku ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Për atentatin u arrestua Redjan Rraja, nipi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
Redjan Rraja u prangos, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi, pasi u zbulua nga shenjat e gishtave të gjetura në një palë syze në makinën “Benz” ngjyrë gri. Ai deklaroi se nuk ka marrë pjesë në atentat dhe si alibi është shprehur se në atë kohë ka qenë me të dashurën e tij, modelen Kejvina Kthella.
Por Arjan Ndoja nuk ishte një emër i padëgjuar edhe para atentatit. Vetëm dy javë para ngjarjes, Ndoja ishte fokusi i fjalës së kryeministrit Edi Rama nga foltorja e Kuvendit.
Edhe pse nuk e përmendi në emër, Rama foli “për një prokuror në Durrës që punon për grupet kriminale”.
“Thonë këta, ça është ky Vettingu, pushim nga puna? Jo, është pastrim i sistemit dhe krijimi i një sistemi të pastër, dhe pastaj ai sistemi i pastër do i thërrasë. Dhe do t’ju thotë, këto vilat, këto shtëpitë, këto faturat e bixhozit në Monte-Carlo, me çfarë i bëtë. Po ka të tjerë, një prokuror në Durrës, punon për grupet kriminale dhe iu bën shantazh punonjësve të shtetit. Arrestojeni këtë, po s’e arreston qeveria. Shembulli, është ky. Që s’e bën qeveria, po e bën drejtësia”, deklaronte Rama.
Zanafilla e një pëplasjeje të hapur mes kryeministrit dhe prokurorit ishte arrestimi i Liridon Pulës, kreu i Kadastrës Durrës, në seancën gjyqësore të të cilit ishte i pranishëm dhe vetë ish-zv/kryeministri Erion Braçe.
Pretendimet mbi pronësinë për një sipërfaqe të madhe toke në Gjirin e Lalëzit, zbuluan shkeljet e supozuara nga prokurori Ndoji të cilat çuan drejtorin Pula pas hekurave, për t’u liruar vetëm pak javë më pas.
Edhe zv/kryeministri i atëhershëm, Erion Braçe e akuzonte Ndojën se ishte në shkelje kushtetuese dhe bëri thirrje që Reforma në Drejtësi të vepronte.
“Dyshoj shumë, që akuza (ndaj Liridon Pulës, drejtor i Kadastrës në Durrës) jo vetëm është e paprovuar por ka edhe lajthitje ligjore. A e kuptoni në çfarë shkelje kushtetuese është ky prokuror (Arjan Ndoja). Reforma në Drejtësi duhet të marrë përpara këtë psillëk zhuli”, u shpreh Braçe.