“Shifeni me kujdes Ilvin se…”/ Zbulohet porosia që la përgjegjësi i Komisariatit para vdekjes së të riut

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka zbuluar porosinë që një prej policëve ka lënë për të arrestuarin Ilvi Meta, i cili u vetëvra pak ditë më parë në Komisariatin e Kavajës.
“T’i kushtohet vëmendje e veçantë të arrestuarit Ilvi Meta, pasi ky i fundit mund të tentojë vetëvrasjen”.
Kjo porosi u la nga përgjegjësi i turnit të dhomave të sigurisë në Komisariatin e Kavajës, Petrit Berhamaj përpara se të dorëzonte detyrën atë ditë.
Ky i fundit tashmë është i arrestuar për shpërdorim detyre. Por në gjetjet e vëzhguesve të komitetit evidentohet se orari kur është lënë shënimi ka mospërputhje me atë kur mjeku kqyri nga afër trupin e pajetë të të ndierit.
“Vëzhguesit e KShH-së raportojnë se ky shënim ka mospërputhje me shënimin që mjeku, O.H, ka bërë në librin e vizitave mjekësore, nr 63, duke shënuar orën 18:00 të datës 4 Maj, si orën e konstatimit të trupit të pajetë të të ndjerit. Kjo mospërputhje e bën të paqartë momentin kur punonjësit kanë konstatuar ngjarjen”.
Por veç kërkesës për vëmendje, polici i turnit nuk ka lënë shënime të tjera mbi arsyet se përse 31-vjeçari mund të kryente vetëvrasje.
Hetimet e kryera deri tani nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria kanë dalë në përfundimin se Ilvi Meta i dha fund jetës duke u vetëvarur me lidhësen e kapuçit sportive, në këtë qeli.