Kot i hakërrehet SPAK, Rama ‘vdes’ për Berishën, Metën dhe ‘non-gratat’

NGA POLI HOXHA

Një gjë është e sigurt që nga koha kur politika, qeveria dhe sistemi i drejtësisë bashkëjetojnë: kur dy të parat ndërhyjnë, subjektet e të dytës gjithmonë përfitojnë.

Kështu ka ndodhur me Fatos Nanon i cili kishte një dosje të kopsitur nga prokurori Genc Gjokutaj, penale, e thjeshtë dhe e qartë. Por marrja e çështjes në gojë dhe në dorë nga presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, e shndërroi vjedhjen e ndihmave të huaja nga qeveria socialiste, në “çështjen më të madhe politike” të brendshme por edhe ndërkombëtare.

Nano bëri burg se ashtu e zgjodhi vetë, por po të donte mund të kishte qenë një “azilant politik vip” kudo nëpër botë. Këtë që nuk bëri ai e bën çunat e “Hakmarrje për Drejtësi” dhe një pjesë e fisit Haklaj, të cilët fituan “azil politik” nëpër Europë, vetëm me fjalimet e Berishës në parlament e kudo.

Mu kujtuan këto e raste të tjera, ndërkohë që dëgjoja kryetarin e PS dhe kryeministrin, Edi Rama, i cili e shndërroi një tubim për çështje organizative të partisë në pushtet, në një banak akuzash kundër Sali Berishës, Ilir Metës dhe me gjuhë të shtrënguar, edhe ndaj “nongratave të tjerë”.

Kryeministri dhe udhëheqësi i partisë në pushtet i dha ultimatum SPAK, që të merret me të gjithë këta ndryshe…nuk janë më për atë punë!
I pari (Berisha) është në një fazë rikthimi të fuqishëm politik dhe me shumë gjasa, në fund të këtij muaji do të marrë në dorë edhe frenat e opozitës. I dyti (Meta) është ende në postin më të lartë të shtetit, president, por edhe ka paralajmëruar se do të rikthehet me të gjitha fuqitë në skenën dhe terrenin politik.

Kurse “nongratat e tjerë” të cilëve Edi Rama nuk ju përmendi emrin janë Tom Doshi i tij, Aqif Rakipi po i tiji me gjithë djalin deputet dhe Vangjush Dako, natyrisht dhe gjithmonë i tiji.

Nuk është hera e parë këto kohë, që Edi Rama i bën SPAK një presion të këtij lloji. Në pamje të parë nuk kuptohet se përse e bën këtë pasi ai vetë, qeveria apo partia që drejton edhe pse kanë 9 vite në pushtet nuk ka dorëzua ndonjë dosje apo padi në SPAK për Berishën dhe Metën.
Është normal presioni që bën PD dhe LSI ndaj SPAK kur e pyesin, se përse nuk thërrasin Erion Velinë, Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin etj, për çështjen e Inceneratorëve, pasi e kanë bërë denoncimin me duar e tyre.

Po Edi Rama të cilit kur i duhet hiqet si baba i reformës dhe vetë SPAK-ut, çfarë ka që shantazhon këta të fundit?
Përgjigjja është e thjeshtë: Nëse vërtet SPAK ka ndonjë dosje nëpër duar, apo ka indicie për ta hapur në të ardhmen për këta emra që Rama zë në gojë nga podiumi i Asamblesë së PS, në fakt ai është duke ju shtruar rrugën e politizimit të çështjeve.

Nëse deri më tani SPAK ka qenë i mefshtë apo i hallakatur pas këtyre ndërhyrjeve politike brutale, ka të drejtën e zotit që nga sot të jetë, edhe më i strukur dhe me frena.

Por edhe nëse plotësohet “dëshira” publike e Ramës dhe një ditë SPAK thërret Berishën, Metën, Tom Doshin, Vangjush Dakon dhe Aqif Rakipin, veli i “luftës politike” që tashmë ju ka hedhur Rama, do të jetë një ferr për punën konkrete të SPAK. Gjithashtu edhe një fuqizim politik dhe një lloj amnistie për të akuzuarit (“kundërshtarë politik”), në një forum partie ku flitet për zgjedhjet e ardhshme.

Pra me një fjali si konkluzion; Kryetari i partisë në pushtet, kryeministri që kontrollon gati çdo institucion, duke sulmuar të lartpërmendurit dhe duke i bërë presion SPAK që “ti thërrasë”, në fakt ju ka ofruar një armë të fortë vetëmbrojtje dhe “Azil Politik”.
Përse e bën këtë?

Sepse pa Berishën dhe Metën ai mbetet si peshku pa ujë dhe radha (nëse e nisim që nga fillimet e pluralizmit) i takon atij vetë. Kurse për të tjerët dihet, çështje ortakërie!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT