Provokimi në luftën e Ukrainës, tanku rus shfaqet në betejë me mbishkrimin “Republika Srpska”

Lufta e paprovokuar e Ukrainës i ka kaluar tashmë më shumë se dy muaj që nga mëngjesi i 24 shkurtit, kur presidenti rus Vladimir Putin njoftoi nisjen e një operacioni special ushtarak.
Një foto nga fronti i luftës, e publikuar nga mediat ndërkombëtare bën fjalë për një provokim të rusëve dhe radikalëve serbë në Bosnjë. Një tank rus që lufton në territoret e Ukrainës, mban mbishkrimin “Republika Srpska”, pjesa serbe e Bosnjë Hercegovinës.
Nuk dihet nëse vullnetarë serbë kanë shkuar të luftojnë krah rusëve në Ukrainë, apo mbishkrimi në mjetet ushtarake është vendosur qëllimisht për të provokuar. Por, gjasat janë që mund të kemi të bëjmë me të parën.
Filozofi i madh slloven Sllavoj Zhizhek, para se të fillonte pushtimi rus i Ukrainës ka thënë se Vladimir Putin do të niste Luftën e Tretë Botërore. Ai paralajmëroi se situata ishte më shqetësuese në rajon, në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Njësitet vullnetare speciale ruse janë në trajtim në Republika Srpska. Ka prezencë të fuqishme ushtarake, madje edhe mbrojtëse ruse atje, e cila do të merr kuptim krejtësisht të re në kontekstin e luftës në Ukrainë”, paralajmëroi Zhizhek, muaj para se të niste lufta në Ukrainë.
