Defekti në ashensor/ Reagon QSUT: Pacienti u lëndua, pritet ekspertiza për të kuptuar shkakun

QSUT ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në urgjencën e spitalit, ku një pacient së  bashku me një infermiere u bllokuan në ashensor.

Në reagim thuhet se pacienti dhe infermierja pësuan lëndime për shkak të defektit të ashensorit, për të cilin ka një sistem mirëmbajtjeje të plotë nga kompania kontraktore. Ndërkohë, pritet ekspertiza për të kuptuar se çfarë e shkaktoi defektin.

“Qendra Spitalore Universitare informon se gjatë mbrëmjes së djeshme, në urgjencën e sëmundjeve të brendshme, gjatë transportit të një pacienteje për kryerjen e ekzaminimeve radiologjike, ka ndodhur një incident në një prej ashensorëve.

Pacientja, e shoqëruar nga infermieri dhe barrelambajtësi, në dalje nga ashensori, pati lëndime, së bashku me barrelambajtësin, si pasojë e një defekti të ashensorit.

Infermieri dhe stafi mjekësor i kanë dhënë menjëherë ndihmën e nevojshme pacientes dhe barrelambajtësit.

Më pas pacientja u konsultua nga specialistët për këtë lëndim, si dhe vijoi konsultat dhe ekzaminimet për sëmundjen dhe pas kryerjes së skanerit me kontrast, rezultoi me tromboemboli pulmonare, diagnozë për të cilën është në mbikëqyrjen e ekipit mjekësor.

QSUT informon se, të gjithë ashensorët janë në një sistem mirëmbajtje të plotë nga kompania e kontraktuar për shërbimin e mirëmbajtjes, të cilat kryhen periodikisht, sipas kontratës në fuqi. Pritet ekspertiza e mëtejshme për të vlerësuar shkakun e këtij incidenti.”– njofton QSUT.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT