Protestat e dhjetorit ’90: Berisha erdhi si ndërmjetës i Ramiz Alisë, i kërkuam të digjte teserin e partisë por s’e bëri

Ndue Lugja, ish-student i dhjetorit në vitet 1990 kujton lëvizjen e asaj kohe që solli rrëzimin e regjimit komunist dhe ardhjen e demokracisë. Në një intervistë për “Shtypi i ditës dhe ju” në Report TV, ai flet për unitetin e jashtëzakonshëm që i bashkonte të rinjtë e asaj kohe, duke sfiduar rrezikun e madh me të cilët përballeshin.
“Në ato momente ne nuk kishim frikë se na bashkonte uniteti mes njëri-tjetrit, unitet i cili nuk ekziston sot. Në atë kohë kishte unitet të përbashkët dhe asnjëri nuk e nënvlerësonte vetveten mbi të tjerët. Sot mendoj se si ka mundësi kam pasur aq guxim në atë kohë kur jeta ishte në fije të penit, në rrugë kishte polici me shkopinj e skafandra dhe ne u shkonim përballë. Do ta bëja sërish”, u shpreh ai.
Lugja theksoi se Sali Berisha shkoi te studentët si ndërmjetës i Ramiz Alisë. Ai tha se i kishin kërkuar që të digjte teseren.
“Berisha ka ardhur te ne si ndërmjetës i Ramiz Alisë, mes studentëve erdhi. Por më pas, meqenëse aty ai erdhi Gramoz Pashko, Meksi, Rruli, Preç Zogaj, shumë intelektualë. Atë ditë ai s’e kishte teserin e partisë. Po, i kërkuam Berishës të digjte teserin e partisë, nuk e kishte me vete. Ka qenë anëtar i asaj partie. Të tjerët i nxorrën dhe i djegën. Ai nuk e kishte me vete. U tërhoq nga roli i ndërmjetësit me Ramiz Alinë dhe atë rol e mori Skënder Gjinushi dhe u fut totalisht me ne. Mirëpo, u krijua partia e PD. Krijimi i partisë së PD erdhi si pasojë e takimit të studentëve me Ramiz Alinë”, shtoi ai.
Një koment bëri edhe për PD sot, dhe gjendjen në të cilën ajo ndodhet. Lugja theksoi nevojën e përfshirjes së të rinjve në parti, por po ashtu edhe angazhim më të madh në protesta.
“Inovacion në PD duhet të ketë, prurje të rëeja duhet të ketë por jo prurje me ata që ti ke afër dhe mbështetur. Ka shumë të aftë në Shqipëri që mund të ecin përpara. Të rinjtë mund ta çojnë. Në protestat fillojnë, përfundojnë dhe ik në shtëpi. Protesta duhet të jetë e përditshme, e vazhdueshme dhe nëse do të fitosh pushtet në Shqipëri. Njerëzit janë të zhgënjyer, janë të lodhur. Nuk është demokracia që ne ëndërruam. Shajnë Ramën, por kur vjen problem për të dalë në shesh të gjtiha janë te shtëpia dhe klubi”, tha ai.