Mesazhi i fortë i djalit të Azem Hajdarit për të rinjtë: Bëhuni si babai im! Merrni përgjegjësi mbi supe për t’ia dalë në jetë

Djali i Azem Hajdarit ishte i ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, ku ka dhënë mesazh të fortë për të rinjtë e sotëm.
Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se i ati i ndjerë, Azem Hajdari, i bënte gjërat që të ndodhnin dhe pastaj mund t’i rregullonte rrugës.
Gjithashtu ai theksoi se këtë parim të të jatit ia sugjeron çdo personi që duhet ta bëjë një herë diçka të ndodhë dhe pastaj të përgatitet rrugës.
“Azem Hajdari, babai im, ishte një person që në paralelizëm rrëmbente të ardhmen e vet për mirë. Pra, këta të rinj sot, nëse nuk mundohen ta rrëmbejnë të ardhmen e vet, do të jetë dikush tjetër që do t’ua rrëmbejë atë. Babai ishte me parimin që t’i bëjmë gjërat të ndodhin dhe pastaj mund t’i rregullojmë rrugës.
Prandaj edhe unë mora paralelizmin se ai u bë lider që në moshë të re, ndoshta sepse ishte formimi i duhur për shkak të kushteve të këqija, pasi nuk ishin kushtet akademike për t’u bërë, por ai e bëri të ndodhë dhe mori përgjegjësinë përsipër, me gurët mbi shpinë përgatiti veten për t’ia dalë.
Edhe unë mendoj dhe i sugjeroj çdo personi që duhet ta bëjë një herë diçka të ndodhë dhe pastaj të përgatitet rrugës, sepse duke u matur e duke u matur, nuk do të ketë kurrë një veprim, dhe faktorë të tjerë do të ngjiten sipër teje në këtë çështje, dhe ti nuk do të arrish kurrë të dominosh për të pasur versionin më të mirë të jetës tënde”, u shpreh djali Azem Hajdarit.