Policia “ngre në këmbë” Elbasanin, kërkohen porositësit e vrasjeve që dëshmoi Nuredin Dumani

Dhjetëra shtëpi dhe biznese janë duke u kontrolluar në qytetin e Elbasanit, për të kapur personat e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Blutë e Elbasanit, të mbështetur dhe nga shërbimet e tjera, janë duke kërkuar të arratisurit e operacionit të datës 19 maj.
Nga dëshmitë e Nuredin Dumanit, u zbuluan një sërë vrasjesh, pagesat për to, porositësit dhe vrasje të tjera të planifikuara për shuma që i kalonin 500 mijë euro, por që kanë mbetur në tentativë.
Deri tani nuk dihet nëse është shoqëruar ndonjë nga personat e shpallur në kërkim nga SPAK, por operacioni vijon dhe aktualisht dhe është angazhuar një numër i madh efektivësh policie. Në arrati janë disa nga personat e konsideruar si “koka” të krimit.
Dy ditë më parë Forcat Speciale kanë kryer kontrolle në tre qarqe të tjera të vendit. Biznese dhe shtëpi në zonën e qytetit bregdetar të Durrësit, në Korçë dhe në Fier janë bastisur nga Policia, por deri tani nuk ka asnjë rezultat publik.
14 personat e shpallur në kërkim për operacionin “Plumbi i artë”
- Eljo (Ervis) Bitri,
- Festim Qoli,
- Alban Bengasi,
- Ervis Martinaj,
- Elvin Merlika
- Alket Xhixha
- Marjus (Suel) Lulaj (Çela),
- Agron (Kamber) Mehja,
- Aleks Çela alias (Tom Qorri),
- Talo Çela,
- Agim Gjini,
- Mikael Qosja (Kamami) (Stefo),
- Florenc Çapia
- Abedin Mama (Dine Çami)