“Nën petkun e ankesës, fshihet presioni”, Rama i kundërpërgjigjet Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve: Gaboni nëse mendoni se do të mbyll gojën! S’jeni ankuar për ata të tjerët që iu këndojnë librin e shtëpisë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas deklaratës së bërë mëngjesin e kësaj të marte nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, e cila shprehej e shqetësuar për atë që e quante ndërhyrje dhe presion ndaj sistemit gjyqësor, lidhur me komunikimet publike të kreut të qeverisë mbi çështjen e ngritur në Gjykatën Kushtetuese për rastin e Belinda Ballukut.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, Rama thekson se nuk mund të konsiderohet presion fakti që ai shpreh publikisht opinionin e tij, sidomos në një çështje ku është palë direkte, për shkak se, sipas tij, vendimmarrje të caktuara kanë cenuar funksionin që ai ushtron si kryeministër i vendit.
Rama u shpreh se prej një dekade nuk ka qenë në konflikt me gjyqësorin, por ka mbështetur reformimin e tij, megjithëse shpesh ka pranuar në heshtje, vendime që i ka konsideruar të padrejta.
“Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore”, shkruan Rama ndër të tjera.
Reagimi i Rames:
Shoqata e Gjyqtarëve ka bërë deklaratë për t’u ankuar për “presionin” tim ndaj Kushtetueses. Dy mundësi ka këtu: Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta – madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë së shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti.
Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore.
Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit. Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh – po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.
Në ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia.