Vdes efektivja shqiptare gjatë misionit të NATO-s në Letoni
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATOs “Enhanced Forward Presence”.
Një grup i kontingjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, sot në ora 9.10 (ora 10.10 me orën lokale) janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.
Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën Nëndetare Zarife Muharrem HASANAJ. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontingjentit, Major Klodian Nikolla TANUSHI dhe Rreshter Julian Xhevat KAPAJ.
Sipas informacioneve të deritanishme Major TANUSHI dhe Rreshter KAPAJ janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën Camp Adazi, në Letoni.
Ministria e Mbrojtjes ka shprehur ngushëllimet dhe njofton se “për ngjarjen e sotme jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta letoneze dhe të aleatëve tanë në mision”
