Nano ‘dush të ftohtë’ kokave të Policisë: Përgjegjësia do bjerë mbi ju nëse…

Pas përgjakjes së Komisariatit nr. 3 pak ditë më parë, ku mbeti i vrarë një efektiv i policisë dhe pas testimit për lëndë narkotike, ku shumë punonjës rezultuan si përdorues, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka kryer një mbledhje me drejtuesit.
“Të mos ulet ritmi në luftën ndaj krimit, por të rritet akoma më shumë forca goditëse dhe të mos ndalojnë operacionet për goditjen e grupeve kriminale”, ka qenë kërkesa e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano ndaj “kokave” drejtuese të strukturave.
Drejtuesi Nano ka kërkuar që të vijojë kontrolli i territorit “nga toka dhe nga ajri, me dronë, për parandalimin e kultivimit të kanabisit”. Ndërsa për zonat “që do të raportohen të pastra, por më pas nga monitorimi ajror do evidentohen bimë narkotike të mbjella, përgjegjësia do të bjerë direkt mbi drejtuesit e strukturave policore që mbulojnë këto territore dhe masat do jenë shumë ta ashpra”, ka paralajmëruar drejtuesit e strukturave policore drejtori Nano.
Drejtori Nano kërkoi që policia të bashkpunojë me OSHEE-në, me qëllim evidentimin sa më të shpejtë të rasteve ku dyshohet se mund të kultivohen bimët narkotike.
“Të bashkëpunohet me OSHEE-në, me qytetarët dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, me qëllim që të evidentohen, në rast se ka, ambientet e përshtatura për kultivim të bimëve narkotike me anë të pajisjeve që furnizohen me energji elektrike. Të zhvillohen kontrolle në të gjitha ato ambiente për të cilat ka dyshime dhe të çohet para përgjegjësisë çdo punonjës i administratës, që mund të jetë i implikuar, në rast se evidentohen raste të tilla.”
Nano është ndalur edhe te ecuria e testit të drogës për punonjësit e Policisë.
“Çdo titullar i strukturave vendore të grumbullojë informacion dhe të dërgojë në mënyrë të befasishme për të kryer testin e drogës ata punonjës që dyshohet se mund të përdorin lëndë narkotike. Ky është një proces që do jetë në vijimësi dhe nuk do mbarojë kurrë, ndaj vlerësojeni me shumë seriozitet”, ka kerkuar Nano.
Pom ashtu, Drejtori Nano ka kërkuar në mbledhje, që të evidentojnë rastet e konflikteve ndërmet punonjësve të Policisë.