Dështon raundi i tretë për Presidentin, Alibeaj: Rama i pranoi rregullat dhe më pas u tërhoq

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar për mediat pas përfundimit të seancës së sotme parlamentare, se me ezaurimin e tre raundeve të para pa kandidatë humbën rastin për një president mbi palët.
Alibeaj tha se Rama e pranoi marrëveshjen e propozuar prej tij me zë dhe figurë, por më pas kryeministri u tërhoq nga pakti. Ne kishim për detyrë të mos zgjidhnim një president të njëanshëm, por ajo “që Rama ka thënë gjithmonë e bëri dhe kësaj radhe”, tha Aleibeaj.
“Në momentin kur ne afruam rregulla që u pranuan me zë dhe figurë nga ana e Ramës ndodhi ajo që di të bëjë gjithmonë, të tërhiqet. Në këtë proces e dimë qartë që për shkak të ndryshimeve të vitit 2008 presidenti zgjidhet me 71 vota në raundin e katërt dhe pestë.
Është detyrë e opozitës për të mos zgjedhur një president të njëanshëm. Për një president mbi palët nuk duhet të ishte as i njërës dhe as i tjetrës. Ajo që Rama ka thënë gjithmonë e bëri dhe kësaj radhe. Humbëm një rast për t’i dhënë shqiptarëve një institucion që do të kishte legjitimitetin e palëve”, tha Alibeaj.