“Mogherini në Tiranë, jo ndërmjetësim për krizën politike në Shqipëri”

Ndërmjetësimi për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri nuk është në axhendën e BE, ashtu sikurse dhe atë të SHBA-së. Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini do të jetë në datat 8 dhe 9 në Tiranë, por jo për t’u angazhuar në negociata me krerët e 2 kampeve politike, pavarësisht se ka planifikuar takime me ta.

Ajo do jetë pjesë e samitit të Brdo-Brijuni, organizuar nga Presidenti Meta. Ambasadori i BE e konfirmon qëndrimin e Brukselit se palët në vend duhet ta gjejnë vetë një zgjidhje.

“Ndërmjetësimi nuk është në axhendën tonë për momentin. I takon partive politike të maxhorancës dhe opozitës të gjejnë urat që ekzistojnë për të tejkaluar këtë ngërç, në mënyrë që të përfitojnë qytetarët shqiptarë, të cilët ata përfaqësojnë”.

Vizita e Mogherinit vjen në një moment kur PD ka prezantuar platformën për qeverinë tranzitore, ndërsa po përgatitet për protestën e radhës kombëtare, atë të 11 majit. Vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha ka thënë se 11 maj përballja do të jetë vendimtare.

Mogherini do të marrë pjesë dhe në takime që do të organizohen për javën e Europës, e cila nisi zyrtarisht këtë të hënë me ceremoninë e inaugurimit të ambienteve të reja të Komisionit në Tiranë.

KE prezantoi dhe përfundimet e sondazhit për perceptimin publik që shqiptarët kanë për BE, nga ku rezulton se 92 % e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin e vendet në këtë union. 44 % e të pyeturve thonë se kushti më i rëndësishëm që duhet të përmbushë vendi që të anëtarësohet është lufta ndaj korrupsionit.

Shqiptarët besojnë se BE duhet të rrisë mbështetjen e tij për sistemin e drejtësisë, reformat ekonomike dhe sistemin shëndetësor.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT