Gjyqtarët kërkojnë rritje pagash, Rama i thumbon: Duan mbi 9200 euro në muaj se ndryshojnë edhe qeverinë me një vendim gjykate
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me kërkesën e gjyqtarëve për rritjen e pagës me 1600 deri në 3100 euro ne muaj, duke e cilësuar diçka të tillë si të papranueshme.
Rama shkruan në një postim në rrjetet sociale se gjyqtarët kanë pagat më lë larta në Shqipëri dhe sërish kërkojnë që rroga e tyre të jetë mbi 9200 euro muaj.
Ndërsa po ashtu ai ironizon, teksa shkruan se në kohën kur gjyqtarët me një vendim, ndryshojnë qeverinë, kërkojnë të marrin edhe rritje page.
Postimi i plotë i Ramës:
“S’ka mundësi”, më shkruajnë disa, lidhur me kërkesën e gjyqtarëve për ta rritur pagën me 1600 Euro mbi aktualen!
Jo vetëm që ka mundësi, po 1600 Euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, se mes rritjekërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh!
Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj.
Si ka mundësi?!
Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde, si nuk arrike të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate, mijëra euro për të rritur pagën tënde?!
Kush ka mbetur pa e kuptuar që s’e kam hallin tek një ministër unë, po tek rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve?!