“Një mori burrash që e vënë lakuriq me shpatulla pas muri”/ Psikologia: Ndoshta komuniteti ka dashur që babai ta vrasë këtë vajzë

Videoja e vajzës nga Librazhdi që tradhton burrin e saj dhe kapet nga vjehrri e vjehrra është kryefjalë e këtyre ditëve. Shkaku dihet, por pasojat e ngjarjes i harrojmë gjithmonë.
Pse duhet të publikohen video të tilla nga media dhe si ndikojnë në jetën e vajzës dhe familjes së saj.
A duhet bërë telenovelë historia e një vajze anonime në shok psikologjik që rrëfehet për historitë e saj personale? A duhej të pompohej vërtetë një ngjarje e tillë në çdo media?
Këto ishin pyetjet e ngritura ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në lidhje “Skype” ishte psikologia, Eriona Hoxha.
Kjo e fundit u shpreh se familja duhet që t’i qëndrojë që tani pranë vajzës dhe se duhet të largohen urgjent nga aty ku jetojnë. Sipas saj, si e reja ashtu edhe prindërit e saj duhet që të marrin ndihmën e nevojshme.
“Ndoshta ky baba që është quajtur i ‘pamëshirshëm’ duhet të kuptuar. Ndoshta komuniteti ka dashur që ta vrasë këtë vajzë. Është kërcënuar nderi, morali, edhe pse jemi në vitin 2022 dhe termat duhet të rishikohen se nuk janë më të njëjtë si në kohën e prindërve tanë”, tha Hoxha.
Sipas saj, vajza mund të mos jetë pyetur që në momentin e martesës dhe si pasojë kanë ndodhur këto gjëra.
“E quajta që në fillim skenar, nëse kanë menduar se po e martojnë për më mirë. Ai zotëria nuk është se ka shumë vite që është emigrant që të ketë kursyer kaq shumë para. Janë shumë elemente bashkë. E vështirë të bëhet një analizë. Vajza edhe në familjen ku ka shkuar nuk është ndjerë e mbrojtur dhe nuk e kanë kuptuar. Kanë menduar se vjehrra do jetë një “nënë e dytë”, por nuk është. Në video u shfaqën një mori burrash që e vënë lakuriq me shpatulla pas muri dhe vjehrra që tenton t’i heq batanijen. Apo dhe vjehrri që ka një gjuhë”, shton ajo.
Ndërsa duke folur për marrëdhënien e vajzës me prindërit, psikologia tha: “Me kalimin e kohës dhe nëse punohet seriozisht me pjesën e brendshme të tyre, me psikologjinë, po të ulen e të flasin duhet ta kuptojnë. Ata duhet që ta mbështesin që sot vajzën e tyre”.