Dokumenti befasues që përmend CIA-n: Kush e njoftoi Sigurimin për protestat e dhjetorit, një muaj përpara se të nisnin?

Vetë CIA ka informuar një muaj përpara Sigurimin e Shtetit Shqiptar, për nisjen e protestave të studentëve shqiptarë në fund të vitit 1990?
Duket e pabesueshme, pasi publikisht agjencia e inteligjencës amerikane, nuk ka qenë në krah, apo në partneritet me komunistët shqiptarë. Por këtë thotë një dokument sekret i Drejtorisë së Tretë të Sigurimit të Shtetit, që është publikuar në emisionin “Opinion” në TV Klan.
Dokumenti mban datën 13 nëntor 1990, pra u është komunikuar krerëve të shtetit komunist të kohës, gati një muaj para protestave studentore, që dihet se kanë si pikënisje mbrëmjen e datës 8 dhjetor 1990.
Informacioni i është drejtuar Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit (Kundërzbulimi) nga Drejtoria e Tretë e Sigurimit të Shtetit, që njihej ndryshe si “Zbulimi Politik”.
Dokumenti është nënshkruar nga Drejtori i Drejtorisë III-të, Sefer Ramaj. Pasi e ka marrë Drejtori i Drejtorisë I, Nerulla Zebi, ka bërë një shënim me shkrim dore në fund të tij:
“Shoku Agim: Ti dërgohet DPB (Drejtorisë së Punëve të Brendshme) të Tiranës. Duhet menduar seriozisht që të parandalojmë çdo ngjarje. 13.11.1990”.
Shoku Agim apo Agim Z., është një tjetër drejtues i Sigurimit, që deri në këtë kohë mbante funksionin e kryetarit të Degës së 8-të të Drejtorisë së Parë.
Dy ditë më pas, më 15 nëntor 1990, në të njëjtin dokument, po Nerulla Zebi, ka lënë një tjetër shënim me shkrim dore, që thotë se informacioni iu dërgua udhëheqjes së partisë.
Në raportim citohet “një kuadër i CIA-s”. Një agjent i shërbimit inteligjent amerikan? Një informator nga radhët e diplomatëve apo gazetarëve, të vetmit që kishin mundësi të pakufizuar lëvizjeje në ato kohëra? Sido të jetë, përmbajtja e dokumentit është saktësisht parashikuese.
Sipas përmbajtjes së dokumentit, kuadri i CIA-s paralajmëronte se para apo pas festave të nëntorit; “studentët mund të organizonin një demonstrate, për shkak të kushteve të vështira të studimit, fjetjes, ushqimit. Ata mund të dalin edhe me kërkesa për ndryshimin e programeve mësimore dhe me ta mund të bashkohen edhe të rinj të tjerë”.
Kështu edhe ndodhi. Studentët e “Qytetit Studenti” u ngritën pas festave, më 8 dhjetor 1990, me fillimisht kërkesa për përmirësimin e kushteve.
Më poshtë përmbajtja e dokumentit.
Sekret – Kopje nr. 1
Tiranë më 13.11.1990
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Tretë
Nr. 494 – Informacion
Drejtorisë së I-rë
KETU
Nga një burimi ynë, informohemi se:
Sipas një kuadri të CIA-s, pritet që në prag ose pas festave të Nëntorit, studentët shqiptarë të organizojnë një demonstratë për shkak të kushteve të vështira të studimit, fjetjes, ushqimit.
Ata mund të dalin edhe me kërkesa për ndryshimin e programeve mësimore dhe me ta mund të bashkohen edhe të rinj të tjerë.
Burimi sugjeron që gjatë ditëve të festive, të evitohen ceremonitë e zakonshme, pasi ato mund të shfrytëzohen për t’i kthyer në veprimtari armiqësore.
Drejtori i Drejtorisë III
Sefer Ramaj (firma, vula)
Interesant është edhe fati i nënshkruesit të këtij dokumenti, ish-drejtorit të Drejtorisë III-të, Sefer Ramaj, i cili u gjet i vdekur në rrethana misterioze, në zyrën e tij në ambientet e Ministrisë së Jashtme në shtator 1991.