Nga deputetët te ish-presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës/ Miq dhe kolegë i japin lamtumirën e fundit Bujar Nishanit

Familjarë, miq dhe kolegë i kanë dhënë ditën e sotme lamtumirën e fundit ish-presidentit Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta më 28 maj.
Në ambientet e Presidencës janë duke u zhvilluar homazhet për ish-kreun e shtetit, ku kanë marrë pjesë shumë figura të njohura të politikës.
Krerët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste kanë folur për mediat pas ceremonisë, ndërsa kanë shprehur ngushëllime të thella për familjen Nishani.
“Ikja e një copëze historie tek ata të cilët e kanë njohur, kanë bashkëpunuar me të. Ikja e një copëze historie të një burri të urtë, i cili lëshonte vetëm sinjale paqeje dhe mirësie. Të pakta janë këto sinjale në botën tonë të trazuar. Kjo e bën më të madhe humbjen”, u shpreh Alibeaj.
“Bashkë me kolegë ministra dhe deputetë kemi qenë sot në presidencë për t’i dhënë lamtumirën e fundit një shtetari të respektuar si Nishani. Kemi punuar edhe si kundërshtarë politikë në Kuvend. Do ruaj gjithmonë respektin për Bujar Nishanin kundërshtar dhe një personalitet i respektuar që erdhi nga fusha ushtarake dhe diti të tregojë respektin ndaj institucioneve të vendit.
Gjatë ushtrimit të detyrës pati momente kur tregoi vlerësimin maksimal për Kushtetutën. Shpreh basjkë me kolegët e mi ngushëllime për familjen e Bujar Nishanit. Vlerësimi te unë do mbetet gjithmonë maksimal”, tha Balla.
Pjesë e homazheve janë bërë dhe ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu e Bamir Topi e po ashtu dhe ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre në një prononcim të shkurtër për mediat.
“Ka qenë një president i mirë, i përkushtuar, që ka luftuar për të zbatuar kushtetutën, pra më vjen keq për këtë humbje të parakohshme të këtij njeriu që ka kontribuar për vendin tonë, në këtë rast dua t’i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve”, u shpreh Moisiu.
“Është një ditë e trishtuar për më tepër kur largohet në këtë moshe të re, duke lënë hidhërim tek familja dhe miqtë. E mbaj mend ditën kur i kam dorëzuar detyrën, 24 korrik 2012, është dita për të shprehur ngushëllimet për familjen dhe i lehtë i qoftë dheu, u prehtë në paqe”, u shpreh Topi.
“Humbje e madhe jo vetëm e familjes, por dhe shtetit shqiptar. Ka bërë punën më të mirë të mundshme në cilësinë e detyrës së tij. Ka dit të komunikojë me qytetarët e vendit. Do mbahet mend për situata të jashtëzakonshme që ka ditur t’i kapërcejë. Ndjej veten me privilegj që kam një njohur, një humbje e hershme dhe që do mbahet mend me pjesën e qetësisë që mori me vete dhe si ka qenë vetë si njeri, i qoftë dheu i lehtë, mbetet si borxh në vijim të përcillet modeli i tij”, tha Sejdiu.