“Vuçiç, Vuçiç ik nga Shqipëria”! Qytetarët përleshen me policinë (FOTO)

Nuk ka kaluar pa incidente protesta e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër ardhjes së Presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Tiranë.

Kujtojmë se Vuçiç dhe kreu i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik ndodhen në Tiranë me ftesë të presidentit Ilir Meta pasi nesër dhe pasnesër do të mbahet samiti i Brdo-Brijunit, që zhvillohet nga viti 2010 në secilën prej shteteve anëtare.

Selia e lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë kishte paralajmëruar më herët zhvillimin e tubimit, por kur kanë zbritur në “terren” kanë hasur në kundërshtimin e forcave të rendit që e kanë cilësuar protestën të paligjshme.

Policia tentoi të largojë me forcë një aktivist mashkull dhe një femër, por në këtë moment është tensionuar situata, pasi turma ka shtyrë përpara duke tentuar të çajë kordonin e uniformave blu.

Aktivistët pas kësaj kanë shpalosur një banderolë, ku shkruhet “Non-grata Vuçiç dhe Dodik”.

Por ishte thirrja me megafon: “Tubimi juaj është i paligjshëm, shpërndahuni ose do të procedoheni”, që ka “tërbuar” protestuesit që më pas janë përleshur sërish me policinë, e cila ishte vendosur në gardh për të mos lejuar kalimin e aktivistëve.

Qytetarët kanë tentuar të hyjnë në bulevard dhe të marshojnë drejt sheshit “Nënë Tereza”, por janë shtyrë me forcë nga policia. Pas kësaj ata kanë akuzuar policinë se po bëhet palë me serbët.

Duke qenë se kanë ndodhur disa incidente, policia ka shoqëruar disa nga tubuesit. Policia gjithashtu ka thënë se organizatorët e protestës do të mbajnë përgjegjësi ligjore, por kjo nuk e ka penguar turmën të brohorasë e lëshojë kore kundër Vuçiç.

“Vuçciç, Vuçiçc jashtë nga Shqipëria”, ishte një nga vargjet që u dëgjua më tepër në protestë, ku u kundërshtua fort vizita e Kreut të Shtetit serb në Tiranë dhe u kërkua shpallja e tij “non-grata”.

  

Back to top button
LAJMET E FUNDIT