“Një prej predhave ka rreze 100 metra”/ Eksperti ngre ALARMIN për zjarrin në Sazan: Po rrezikohet jeta e ushtarëve

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço i ftuar në emisionin “Breaking”, ka folur në lidhje me situatën e zjarrit në ishullin e Sazanit.
Karamuço e konsideron rrezik të lartë praninë e predhave në ishullin e Sazanit, që prej tre ditësh është pushtuar nga flakët. Karamuço sqaroi se një nga ato predha ka një rreze prej 100 metrash dhe mund të rrezikojë jetën e ushtarëve dhe vullnetarëve.
Karamuço ngriti pyetjen se kush e ka vendosur zjarrin në orën 08:00 të darkës, ndërkohë që turisti i fundit në ishull ka qenë në 5:00 të pasdites.
“Dje gjatë shuarjve të flakëve kam parë që shumë persona po heqin predha nga zonat e nxehta. Nuk e di a është bërë një demilitarizim të ishullit. Duhet të merren në konsideratë. Është nevojë e madhe për helikopterët me hidrantë, sepse është nevojë e madhe që ato të mos përhapen nga erërat që priten pasditen e sotme. Zjarret kanë filluar pardje, ndërkohë që turisti i fundit është në orën 5:00 pasdite. Kush ka hyrë në orën 8:00 të darkës dhe ka vendosur zjarre? Aty në orën 8:00 nuk ka njeri. Janë zjarre të qëllimshme. Ky ishull e para s’ka barinj, e dyta s’ka ujë. Duhet të marrësh ujë me cisterna, sepse s’ka ujë. Mendohet që do të marrë ujë nga Uji i Ftohtë në Vlorë, për turizëm. Informacioni ka dalë ditën e parë, informacion zyrtar nga MB, që zjarri ka filluar nga ora 8:00 në darkë. Mjete ajrore nuk kemi. Sot helikopterët i kemi sa në Poloni, sa në Itali, sa në remont. Nuk e di pse s’ka Shqipëria sot mjete për shuarjen e zjarrit! Kjo duhet të jetë transparenca më e madhe. Situata edhe për shkak të pamjes që ju keni publikuar, që janë pamjet e një predhe, mund të përbëjë rrezik për efektivët e ushtrisë dhe vullnetarët. Predha ka rreze prej 100 metrash”, tha ai.