Sazani në flakë prej 3 ditësh, ushtarët shuajnë zjarrin me lopatë/ Rama-kritikëve: Shikoni ç’ndodh në Athinë e Turqi

Prej tre ditësh, ishulli i Sazanit vijon të jetë i përfshirë nga flakët dhe autoritetet shqiptare akoma nuk kanë bërë të mundur shuarjen e tyre. Ajo çfarë është vënë re tek populli dhe që kanë reaguar edhe në rrjete sociale, është mungesa e mjeteve për shuarjen e zjarrit.
Në shumë media janë publikuar foto të ushtarëve dhe të vullnetarëve, të cilët janë përpjekur të shuajnë zjarrin me lopata dhe me degë peme , duke rrezikuar për pasojë edhe jetën e tyre.
Në një postim të kryeministrit Edi Rama, ku nxori një video ku shfaqej kreu i Emergjencave Civile në një helikoper, ndjekësit vërshuan me kritika duke kërkuar helikopterë për shuarjen e flakëve.
Pas akuzave se Ushtria shqiptare nuk ka helikopterë për të shuar zjarret në Ishullin e Sazanit, Rama ka reaguar në një postim në FaceBook se këto janë llafe që bëhen nga “të njëjtët shqipo”.
Në një reagim të dytë , në më pak se dy orë, Rama thotë se edhe Athina e Stambolli janë në të njëjtën situatë me zjarret.
“Sa për ata që nuk kanë sy të shohin çfarë ndodh njëkohësisht, sot që flasim, rrotull Athinës apo çfarë ndodh kudo tjetër në kushtet e zjarreve, nga Turqia e deri në Spanjë, po hidhen përpjetë duke kërkuar helikoptera me kova uji biblik e me shkopinj magjikë, nuk kemi asgjë për të thënë! Janë të njëjtët shqipo, që në tërë historinë e këtij vendi, kanë bërë fiks të njëjtën gjë, llafe, llafe, llafe…”, shkruan Edi Rama.