Mbytet skafi në Zvërnec, Policia nxjerr detajet: Mes 4 turistëve italianë, ishte dhe një i mitur

Një skaf është mbytur në brigjet e Vlorës, pranë Zvërnecit, teksa kanë shpëtuar mrekullisht 4 shtetas italianë, mes tyre edhe nje i mitur.
Mësohet se ka qenë Policia Kufitare ajo e cila ka ndërhyrë dhe iu ka ardhur në ndihmë 4 turistëve italianë, pas dëmtimit të skafit. Mësohet në momentin që skafi po kalonte në Zvërnec, është përplasur me një shkëmb nënujor.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm 70 m nga bregu.
Katër personat që ndodheshin në skaf janë përpjekur të nxjerrin motoskafin nga uji, por është mbytur. Fatmirësisht ata kanë arritur të dalin në breg.
Vlorë/Informacion paraprak
Shërbimet e Policisë Kufitare u vijnë në ndihmë 4 turistëve italianë, të dëmtuar gjatë një udhëtimi me skaf.
Më datë 07.06.2022, rreth orës 05:30, në zonën e quajtur “Hunda e Plakut”, në plazhin e Zvërnecit një mjet lundrues (skaf), me drejtues shtetasin G. V., 61 vjeç, banues në Pavia, Itali, është përplasur me një shkëmb nënujor. Në mjet ndodheshin shtetasit M. R., 38 vjeç, K. B., 33 vjeçe dhe një i mitur, banues në Pavia, Itali.
Shërbimet e Policisë Kufitare sapo janë njoftuar, kanë organizuar punën me qëllim nxjerrjen e shtetasve në breg. Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara të Policisë Kufitare dhe GDF është bërë e mundur nxjerrja e 4 shtetasve italianë në breg. Të dëmtuarve u është dhënë ndihma e parë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.