Kurti: Kosova mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa njohjen nga Serbia, do ja u dëshmojmë këtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në Oxford Union, u shpreh se ai mund t’u tregojë të gjithëve se si Kosova mund të lulëzojë pavarësisht mosnjohjes së pavarësisë nga ana e Serbisë.
Ai tha se njohja nga Beogradi është gjithmonë e mirëseardhur, megjithatë shton se Kosova mund të jetojë dhe zhvillohet edhe pa një gjë të tillë.
“Ndërsa një ndryshim progresiv në politikën serbe është diçka që vetëm populli serb mund ta sjellë, ka mënyra se si mund ta ndihmojmë atë nga jashtë. Si kryeministër i Kosovës, unë mund ta ndihmoj një ndryshim të tillë duke dëshmuar se republika jonë mund të lulëzojë pavarësisht nga mosnjohja e pavarësisë sonë nga Serbia.
Një Kosovë e fortë dhe prosperuese do ta ndihmojë popullin serb dhe elitën e tij politike të kuptojë se një politikë miqësie ndaj nesh u shërben interesave të tyre shumë më mirë. Kjo është arsyeja pse qeveria ime po fokusohet në zhvillimin e ekonomisë sonë, reformimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Për të qenë i sigurt, unë mbetem i përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me lidershipin aktual të Serbisë. Njohja nga Serbia është gjithmonë e mirëseardhur dhe sa më shpejt të vijë aq më mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor. Por, Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa të”, ka thënë Kurti.
Këto deklarime Kurti i ka bërë pasi ka folur për ambientin politik në Serbi dhe rreth asaj se sa pak dëgjohen atje zërat e majtë progresivë që njohin të drejtën e Kosovës për pavarësi.