Ramës “nuk i del inati” me BE: Ka dhënë fjalën për integrimin dhe na ka zvarritur! Kosova e ka vendin gati në “Ballkanin e Hapur”

Kryeministri Edi Rama ka folur përsëri për atë që ai e quan “zvarritje” për procesin e integrimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në konferencën për gazetarët, ai tha megjithatë se rruga e Shqipërisë është drejt Europës.
“Unë nuk akuzoj BE. Përkundrazi, unë jam një europian 100% i përkushtuar dhe i vendosur si me BE dhe si pa BE. Përsa kohë BE është projekti më i guximshëm që mendja politike ka krijuar, është dhe destinacioni im dhe i yni. Është fakt që BE na ka zvarritur. BE jep fjalën dhe nuk e mban për integrimin”, u shpreh kryeministri Rama.
Në Samitin e Ohrit ku u mbajt sot takimi i radhës për “Ballkanin e Hapur”, Edi Rama u pyet dhe për Kosovën. Ai u shpreh se vendi i saj është gati dhe askush nuk mund ta zërë, megjithëse theksoi se respektonte vendimin e autoriteteve në Kosovë.
“Kosova është sovrane dhe i merr vendimet vetë për veten e vetë. Vendi për Kosovën është aty. Askush nuk e zë dhe askush nuk e mbush dot, nëse nuk e mbush vetë Kosova. Unë nuk dua të them asgjë më shumë se çfarë kam pasur për të thënë e kam thënë. Ftesa është gjithmonë e hapur. Respektoj vendimin e autoriteteve të Kosovës për të lënë vendin bosh”, përfundoi ai.
Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa jashtë saj janë ende Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina. Sot, Mali i Zi dhe Bosnja morën pjesë në samit në cilësinë e vëzhguesve.
Kryeministri Kurti i është përgjigjur ditë më parë ftesës së kryeministrit të Maqedonisë, duke e refuzuar. Sipas Kurtit, Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit dhe s’ka pse t’u bashkohet nismave të tjera. Ndërkohë Vuçiç deklaroi sot nga Ohëri se do që samiti i radhës të mbahet në Serbi, madje ftoi dhe Kosovën.