‘Ballkani i Hapur’ mbështetet nga Rusia? Rama për deklaratën e Lavrov: Një peshkaqen i nivelit të lartë që…

Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me homologët nga Serbia, Mali i zi, Bosnja Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, në kuadër të nismës Ballkani i Hapur, kryeministri Edi Rama komentoi dhe deklaratën e ministrit të jashtëm Sergei Lavrov, i cili pas anulimit të vizitës në Beograd shprehu mbështetjen për këtë nismë.
Rama deklaroi se kjo deklaratë ishte një truk i radhës i Lavrov, i cili sipas kryeministrit, njihet për një person sarkastik, dhe mashtrues. Reagimi erdhi si përgjigje ndaj pyetjes së mediave, nëse Rusia është kumbar i Ballkanit të hapur.
“Ne Ballkanin e Hapur e kemi krijuar për të zbatuar parimet e tregut të përbashkët. Sa për Lavrov, bëhet fjalë për një peshkaqen të nivelit të lartë në oqeanin e diplomacisë. I mirënjohur për sarkazmat e tij dhe shumë peshq kanë rënë në truket e tij, do ishte këtu nëse do mbështeste Ballkanin e Hapur. Këtë lloj fabule e hanë vetëm peshqit e Ballkanit të mbyllur, atyre s’kemi çfarë u bëjmë, i kemi në ujërat tona. Ballkani i Hapur është për të gjithë njerëzit. Të peshkosh në këtë ujin e historisë së marrëdhënieve ballkanike për të dëmtuar procese është kollaj, po nuk ka për të funksionuar.
Nuk na pengon historia, duhet të vijojmë këtë rrugë, për të ndërtuar një histori të re, si popujt që kanë ditur të ikin nga kthetrat e së shkuarës. Dy bomba ka hedhur Amerika mbi Japoni dhe sot janë aleatë të ngushtë prej kohësh, nëse do kishte qëndruar me kurriz nuk do ishte kjo që është. Sa më shumë të jemi bashkë në të ardhmen, edhe problemet e të ardhmes i shohim bashkë me këtë sy. Sot eksportet e fermerëve janë dyfishuar, kjo është e rëndësishme.”- deklaroi Rama.