U arrestua sot me urdhër të SPAK! Kush është Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të PS që ka pasur pasion për makinat e luksit, historia me Xhisiela Malokun dhe bota e biznesit

Rexhep Rraja, emri i përfolur në drejtësi dhe në media prej shumë vitesh, është rikthyer sot në qendër të vëmendjes pas arrestimit të tij gjatë një operacioni të gjerë policor, ku ai dhe disa persona të tjerë akuzohen për transportim të lëndëve narkotike. Por, historia e tij me organet e drejtësisë ka nisur shumë më herët.
Emri i Rexhep Rrajës u lakua për herë të parë në shtator të vitit 2018, kur aso kohe ai u akuzua për dhunimin e Xhisiela Malokut. Ngjarja mori edhe më shumë jehonë pasi ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu deklaroi se ishte kërcënuar nga eksponentë të Partisë Socialiste për të mbyllur dosjen.
Rraja u arrestua në 30 shtator të atij viti, ndërsa procesi gjyqësor përfundoi me vendimin e gjyqtares Engjëllushe Tahiri, e cila e dënoi me shërbim prove, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar një vit burg.
Përfshirja në ngjarjen e vitit 2023:
Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rrajës, u rikthye në titujt e mediave edhe në korrik 2023, kur ai dhe anëtarë të tjerë të fisit Rraja, organizuar sulmin e dhunshëm ndaj dy kushërinjve të fisit Maja.
Ngjarja ndodhi më 6 korrik, në një lokal në aksin Fushë Krujë–Thumanë, ku një grup personash nga fisi Rraja mësynë në ambientet e lokalit ku dy kushërinjtë ndodheshin dhe i goditën me shkopinj gome dhe bejsbolli Bilbil dhe Jashar Majën. Sulmi ndodhi teksa ata po diskutonin me inxhinierin e një guroreje për dëmet që shpërthimet po u shkaktonin banesave të tyre.
Nga problemi me drejtësinë, në botën e biznesit dhe jetën luksoze:
Pas përfundimit të shërbimit të provës në vitin 2018, Rexhep Rraja iu fut biznesit. Djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja rezultonte aksioner i kompanisë “DigiTel”, të cilën e kishte themeluar së bashku me Erjon Sefajt, më 14 janar 2020, duke zotëruar secili nga 50% të aksioneve.
Kompania operonte në fushën e teknologjisë dhe telekomunikacionit, duke ofruar: Rrjete dhe shërbime të komunikimeve elektronike; Shërbime audio dhe audiovizive; Montime sistemesh sigurie; Pajisje mjekësore dhe sisteme UPS; Instalime telekomunikacioni, pajisje kompjuterike, import–eksport dhe shërbime të tjera teknike në përputhje me legjislacionin në fuqi. Por ky biznes vijoi për dy vite.
Ndërkohë që për të gjithë në zonën e Fushë-Krujës, Rexhep Rraja ose i njohur ndryshe si “Xheni” i pëlqente jeta e luksit të cilët nuk nguronte ta shpërndante edhe në rrjetet sociale. Nga fotot e kapura vite më parë, ai shihej teksa publikonte makinat luksoze, por dhe armë e rrënjë kanabis.
Mirëpo, kujtojmë se mëngjesi i sotëm e vendosi atë sërish para drejtësisë. Forca të shumta policie, zbarkuan në disa banesa në Fushë-Krujë ku dhe u ekzekutuan gjashtë masa sigurie ndaj një grupi të dyshuar kriminal të përfshirë në transportim të lëndëve narkotike.
Në listën e personave të arrestuar u përfshi edhe Rexhep Rraja, së bashku me:
Marvin Bushati
Agim Nina (alias Lorenc Izet Selmani)
Sokol Qaja
Gazmir Rraja
Përparim Rraja