Prokuroria e Tiranës goditi “serinë e dytë” të drejtorëve hajdutë të Bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi: Pallatet e Kombinatit u shembën për leje të reja ndërtimi
Deputeti Belind Këlliçi, një nga zyrtarët e PD që ka qenë më pranë banorëve të Kombinatit për muaj me radhë kur shtëpitë e tyre u shembën, i përgëzon për shembullin e qëndresës pas firmosjes së urdhër-arresteve nga Prokuroria e Tiranës.
Dje, akuza e kryeqytetit ka lëshuar masat e sigurisë “Arrest shtëpie” për 3 zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, të cilët firmosën shembjen e pallateve të Kombinatit nën pretendimin se ishin dëmtuar nga tërmeti i 2019, për t’i hapur rrugë lejeve të reja të ndërtimit.
Belind Këlliçi thotë se kryebashkiaku Erion Veliaj iku, duke ju referuar burgosjes së tij, por modeli “5D” që ai kishte ngritur në Bashkinë e Tiranës – skema e parë e drejtorëve hajdutë që janë arrestuar nga SPAK – vazhdon.
“Lukunia e drejtorëve hajdutë në Bashkinë Tiranë duket se nuk ka fund. Nën modelin e ngritur nga Erion Veliaj dhe shefi i tij Edi Rama, çdo tragjedi njerëzore kthehet në mundësi për të zhvatur qytetarët”, shkruan deputeti demokrat.
Ai përgëzon qytetarët e Kombinatit dhe Grupin për Mbrojtjen e Kombinatit (GMK), të cilët e kundërshtuan me forcë diktimin arbitrar dhe futjen brutale të duarve qeveritare në xhepat e tyre, në shtëpitë e tyre.
“Qëndresa juaj është shembull se si pushtetit të korruptuar i duhen prerë duart, para se të shkelë çdo të drejtë njerëzore e kushtetuese”, vijon Belind Këlliçi.