Serbia paradë ushtarake mes tensioneve me Kosovën, reagon Pacolli: Kërcënohet stabiliteti

Serbia zhvilloi sot, në Ditën e Fitores në qytetin e Nishit një paradë ushtarake, ku u treguan edhe armatime të reja e pajisje artilerie të dhuruara nga Rusia.

Sipas presidentit Aleksandar Vuçiç, kjo paradë ishte një demonstrim i progresit që ka arritur vendi i tij dhe sa është fuqizuar ai.

Por kjo ngjarje është përshkruar nga “Washington Post” si tregues i forcimit të aleancës së Serbisë me Rusinë, e demonstrim force ndaj Kosovës në kohën kur mes dy shteteve ka tensione.

“Serbia mbajti një paradë ushtarake për të shënuar Ditën e Fitores, mposhtjen e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, në atë që ishte një demonstrim i qartë force në mesin e rritjes së tensioneve me Kosovën. Parada në qytetin jugor të Nishit përfshinte 4.000 trupa, 300 mjete ushtarake dhe 40 avionë, përfshirë dy helikopterë rusë, të cilët kishin në bord ekuipazh rus. Një shpalosje kjo e aleancës në rritje politike dhe ushtarake me Moskën”, shkruante “Washington Post”.

Pas kësaj ka reaguar ka reaguar ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili, në një postim në facebook shkruan se Serbia duhet të sillet si një vend i civilizuar, ndërsa kërkoi një reagim ndërkombëtar ndaj kësaj sjellje të Serbisë.

Serbia duhet të sillet si një vend i civilizuar dhe të përqendrohet në bashkëpunimin rajonal dhe në evropianizimin e saj.

Me parada ushtarake mesazhi i vetëm që i dërgon botës është se Serbia mbetet një kërcënim për stabilitetin rajonal dhe mentaliteti i Millosheviçit është ende i gjallë në Beograd. Ne kërkojmë reagim ndërkombëtar kundër kësaj sjelljeje të Serbisë, një ditë pas Ditës së Evropës”, shkruan Pacolli.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT