Paradë me kostume kombëtare në 109-vjetorin e Republikës Autonome të Korçës (VIDEO)
Në kuadër të 109-vjetorit të shpalljes së Korçës si Krahinë Autonome, këtë të markurë u paraqit një koleksion i pasur kostumesh tradicionale nga juglindja e Shqipërisë.
Rreth 150 kostume kanë kaluar nëpër bulevardin “Republika” dhe pedonalen e qytetit, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe vizitorëve.
Në videon e mëposhtme shihen devollinjtë të cilët mbajnë veshur veshjet popullore të këtij rrethi. Veshja kryesore e burrave është fustanela e shoqëruar me kalla dhe opinga me xhufka të zeza në majë të tyre. Në kokë mbajnë fesin me ngjyrë të bardhë. Ndërsa vajzat janë të veshura me xhamadan të shoqëruar me një shami në kokë.
* Në veshjet popullore të grave bie në sy përdorimi i ngjyrave të forta bazë si: e bardhë, e zezë, e kuqe, dhe vishnjë. Motivet merren kryesisht nga natyra, nga lulet, drita e bollshme dhe ngrohtësia e vendit. Në zonën e Devollit fustani i gruas është prej stofi, jo i trashë. Është fustan i gjerë në pjesë e fundit. Pjesa e trupit të fustanit vjen e puthitur pas gjoksit dhe belit. Mëngët e fustanit janë të ngushta dhe të gjata. Në kokë vendoset shamia e zbukuruar me trëndafila. Ҫorapet punohen me lesh deveje të tjerrë shumë hollë, kryesisht përdoret ngjyra vishnjë. Këpucët janë prej sholle dhe me takë jo shumë të lartë
Kjo ngjarje e rëndësishme është shoqëruar me aktivitete të shumta, përfshirë edhe organizimin e një festivali autonom, që ka ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të rajonit.
Shpallja e autonomisë u arrit me mbështetjen e ushtrisë franceze. Themistokli Gërmenji ishte prefekt i Republikës Autonome të Korçës, për të cilin DPA disponon dhe foton duke ngritur flamurin, dhe pranë tij koloneli Henry Descoin.
Administrimi i Qarkut të Korçës do t’i besohej një këshilli prej 14 anëtarësh, në një bërazpeshë mes anëtarëve të krishterë dhe atyre myslimanë. Këshilli ngarkohej me studimin e të gjitha masave që duheshin marrë me mirëadministrimin e qarkut dhe me kontrollin e funksionimit të shërbimeve publike. Sipas Protokollit të 10 dhjetorit 1916, qyteti i Korçës ishte një krahinë “autonome” e administruar nga shqiptarët nën mbrojtjen e autoriteteve franceze.
Por më 16 shkurt 1918, Korça u mor në administrimin e drejtpërdrejtë të komandës franceze.
Pushkatimi i Themistokli Gërmenjit më 7 nëntor 1917, dobësoi ndjeshëm lëvizjen kombëtare shqiptare. Në vijim, organet e sigurimit francez arrestuan bashkëpunëtorët e ngushtë të Gërmenjit, drejtorin e Policisë Qamil Panaritin dhe komisarin Mehmet Pupe. Gjithsesi në krahinë vazhdoi të ngrihej flamuri shqiptar krahas atij francez, si edhe në shkollat që u hapën dhe vijuan me mësimdhënien. Në maj të vitit 1920, forcat franceze u larguan nga Korça, duke marrë fund kështu edhe krahina “autonome” e Korçës.