Operacioni i SPAK në Fushë-Krujë, eksperti i kriminalistikës zbulon detaje: Tre persona u larguan drejt Dubait!

SPAK ka goditur sot një grup kriminal në Fushë-Krujë ndërsa eksperti i kriminalistikës, Ervin karamuço, u shpreh në emisionin “Now” se tre prej anëtarëve të grupit janë arratisur drejt Dubait.

Karamuço u shpreh se 10 urdhra arresti janë ekzekutuar. Ai thekson se aktiviteti i tyre shtrihej në disa vende të Evropës dhe lidhej edhe me Amerikën Latine ndërsa shpjegoi se hetimet u koordinuan me Turqinë, Malin e Zi dhe vendet e tjera përmes informacionit të siguruar nga SkyECC.

“Edhe vetë SPAK doli në deklaratë për këtë operacion. Në 24 orët e fundit, forcat operacionale dhe të ndërhyrjes së shpejtë kishin filluar lëvizjet, që tregonte një operacion të madh. Sot u finalizua me 13 urdhra arresti; tre persona dyshohet se janë larguar drejt Dubait, ndërsa 10 urdhra u ekzekutuan.

Ne e kemi thënë prej kohësh se zona e Fushë Krujës dhe Malësisë së Krujës, krahas vrasjeve me pagesë, ishte përfshirë në kultivimin e Cannabis sativa. Ky grup dyshohet se dërgonte drogë në vende të ndryshme të Evropës dhe shpërndante kokainë përmes linjave të tjera.

Grupi është i gjeneratës së dytë, i fuqizuar dhe i sofistikuar. Aktiviteti i tyre thuhet se shtrihej në disa vende të Evropës dhe lidhej edhe me Amerikën Latine. Hetimet u koordinuan me Turqinë, Malin e Zi dhe vendet e tjera përmes informacionit nga SkyECC. Dy ose tre elementë të grupit dyshohet se janë me rrezikshmëri të lartë dhe janë larguar drejt Emirateve.”-tha Karamuço.

Gjatë operacionit janë vënë në pranga Marvin Bushati, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Sokol Qaja, Zamir Aliaj dhe tre anëtarë të fisit Rraja, Gazmir, Përparim dhe Rexhep Rraja. Ky i fundit djali i ish deputetit të PS-së, Rrahman Rraja, ndërsa dy të tjerët kushërinj të tij. Aktualisht në burg ndodhen Islam Sefa, Aldo Gjini dhe Jani Çavo, ku edhe iu është komunikuar masa tjetër e arrestit. Në kërkim janë Ervis Shuli, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vildan Baroku, të cilët dyshohet se janë jashtë vendit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT