“Shpirti im e di sa vuaj”/ Rrëfimi i babait të Aleksadër Sadikajt: Lajmi i atentatit më ra si bombë

Në një rrëfim për një emision televiziv, babai i Aleksandër Sadikajt, 27-vjeçarit i cili u ekzekutua në rrugën e Saukut, Fatmir Sadikaj tregoi se jetën e të birit që nga fëmijëria deri tek atentati mafioz.
Fatmir Sadikaj tha se lajmin tronditës e ka marrë vesh nga lajmet në media, ndërsa shtoi se në lidhje me të kaluarën e Aleksandrit po thuhen shumë gënjeshtra e trillime, pasi sipas tij, 27-vjeçari ishte një djalë i shkëlqyer.
Si e morët vesh lajmin e atentatit?
Babai i Aleksandrit, Fatmir Sadikaj: E mora vesh lajmin nëpërmjet televizorit. Ishte si bombë. Dy ditë më parë kam folur me të në telefon për herë të fundit. Nuk diskutuam asgjë, përvecse kisha ditëlindjen para ca kohësh dhe më nisi lekët e ditëlindjes, kaq. Asgjë tjetër. Nuk m’i nisi dot lekët më datën 2 dhe m’i nisi atëherë. Ishte djalë shumë i mirë. Nuk është e drejtë për baballarët dhe nënat, që hapin televizorin dhe dëgjojnë direkt pas një minute lajme të tilla. Janë shumë rrena, shumë gënjeshtra e trillime, vetëm shpirti im e di.
Çfarë aktiviteti bënte Aleksandri?
Aktiviteti i Aleksandrit, ndoshta e kam fut dhe unë me duart e mia, pasi ai ka krejt rrjedhën e punës sime. Ai ka lindur e rritur me lekë. Jeta e tij ka qenë në emigrim, e kam marr unë në krah 1 vjeç dhe e kam çuar në Greqi. Pastaj, unë kam ikur në Angli, ku i kam dërguar lekë familjes së Aleksandrit. Janë të gjitha me dokumente, është e kotë të hidhem e përdridhem unë. Janë të gjitha të dokumentuara, i ka gjykatësi në Berat. Kur jam ndarë, kam dalë vetëm me një xhaketë dhe isha i detyruar t’ua lija të gjitha fëmijëve. Unë jam divorcuar para tetë vitesh. Nuk mora asgjë, përveçse një xhaketë nga ajo shtëpi. I kishte të tëra djali im, i shtrenjti im që më iku, krahu im i djathtë”.
Po për pasurinë e 27-vjeçarit?
Ngriti biznesin, por me mua shteti mund të bëjë gjithçka mund të më hyjë në themel në Greqi apo Angli, por me çunin duhet të më gjejë shkaqet. E quaj veten fajtor për pasurinë që i lashë, e futa në këto rrethana. Shoqërinë nuk e njoh, njoh shumë pak shokë, shumë të mirë të sjellshëm të respektueshëm. Nuk kam ndenjur shumë tek ai, sepse këto 8 vite isha shumë i zënë, sepse duhet të ushqeja dy fëmijët e tjerë.
Si e pritën fëmijët divorcin tuaj?
Fëmijët e mi nuk e vuajtën fare divorcin, më thanë që kam bërë zgjedhjen time dhe se jeta vazhdon. Aspak nuk e vuajtën. Madje, ditën që jam martuar, Aleksandri më ka marrë vesh pas një muaji dhe më mori në telefon e më tha që “mirë bëre babi, ne do ta kemi komunikimin. Ne të jemi borxhlinj shumë”. I thashë që nuk më ishte borxhlinj dhe në të vërtetë nuk më ishte. Pas divorcit me nënën e Aleksandrit, i kam ruajtur marrëdhëniet normale. I kam pasur do ti kem sido që të vejë puna marrëdhënie të mira edhe me çupën. Më iku një zemër, kam edhe tre të tjerë, do t’i ruaj se s’bën. Të paktën ato në media mos mi tregoni se nuk i shoh e nuk i dëgjoj dot. Nuk e shoh dot fare as televizorin.