Boyko Borissov telefonon Edi Ramën pas heqjes së VETO-s, kryeministri: Partia e tij shpëtoi fytyrën e Bullgarisë

Ish-kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Edi Ramën. Kryeministri shqiptar thotë se e ka falenderuar për heqjen e VETO-s në Parlament, që i hap rrugën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Parlamenti bullgar votoi sot “PRO” me një shumicë dërrmuese në një votim që u zhvillua pak pas mesditës të së premtes (24 qershor). 170 votuan pro, 37 kundër dhe 21 abstenuan për heqjen e vetos ndaj Shkupit zyrtar.
“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoja sa duhet për mendimin e tij të mirë që më thirri, por mund ta falënderoja për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament! Mik i vërtetë, lider i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtoi fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt”, shkruan kryeministri Edi Rama në Twitter.
Edhe më herët sot, ai ka përmendur ish-kryeministrin dhe liderin e opozitës bullgare.
“Dhe meqë ra fjala, më lejoni t’ju kujtoj të dashur miq bullgarë se u desh një telefonatë e shkurtër Boyko Borissov për të zgjidhur miqësisht dhe sinqerisht çështjen e minoritetit bullgar në Shqipëri! Miqtë e vërtetë nuk dëmtojnë njëri-tjetrin, por flasin me të vërtetë me njëri-tjetrin dhe i japin dorën”, shkroi Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministria e Jashtme e Bullgarisë kanë pasur sot një “luftë deklaratash” në distancë, për shkak se kreu i qeverisë shqiptare e ka quajtur “turp” vendimin e Bullgarisë, “një vend i NATO-s që mbante peng dy vende të tjera, po aleate në NATO”.