FOTOT: Pamje të rralla të kalit të qyqes në Luginën e Drinos

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje të Kalit të Qyqes në Luginën e Drinos.
Kumbaro u shpreh se, Kali i Qyqes është shkaba e vetme folezuese në vend e që gjendet në qarkun e Gjirokastrës.
Kumbaro nënvizoi se, punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura kujdesen të kryejnë monitorim dhe shërbime në stacionin e ushqimit suplementar dedikuar Kalit të Qyqes.
“Mirëmëngjes me pamjet e rralla të Kalit të Qyqes (Neophron percnopterus) në Luginën e Drinos, shkabës së vetme folezuese në vend e që gjendet në qarkun e Gjirokastrës. Punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura kujdesen të kryejnë monitorim dhe shërbime në stacionin e ushqimit suplementar dedikuar Kalit të Qyqes”, shkroi Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
Kali i qyqes (Neophron percnopterus) është ndër shkabat e mëdha në Shqipëri. Është një shpend që karakterizohet nga një ngjyrë e bardhë, pendë fluturimi të zeza dhe ngjyra e sqepit është e verdhë.
Llogaritet si një ndër shpendët më të mëdhenj në Ballkan me një gjatësi në hapje krahësh që shkon rreth 2 metra. Kali i Qyqes është lloj i rrezikuar globalisht dhe gjatë 30 viteve të fundit popullsia e këtij lloji në Ballkan ka rënë me më shumë se 80%. Arsyet për këtë mund kanë të bëjnë me kërcënimet që ky lloj has, jo vetëm në territoret e folezimit në Ballkan, por edhe gjatë korridoreve të shtegtimit. Nga katër llojet e shkabave të cilat folezojnë në Palearktikun Perëndimor, kali i qyqes është i vetmi lloj i cili shtegton rregullisht në distanca të gjata.
Krahas gëzimit që marrim nga ardhja e këtyre shpendëve të mrekullueshëm, këto lajme përjetohen nga ne akoma më shumë kur vijnë nga banorët dhe miqtë tanë që jetojnë në territoret e kalit të qyqes. Është një motiv dhe ndjenjë e veçantë lumturie, të përjetosh se si tashmë banorët e atyre zonave janë bërë të ndjeshëm dhe të vëmendshëm, jo vetëm për Kalin e Qyqes, por edhe për llojet e tjera të rralla të vendit tonë.