20 vite te Krimet e Rënda dhe SPAK, elokuente në prezantim e stoike përballë kërcënimeve të bandave, por asnjëra nga tre gratë e KLP-së nuk e votoi Doloreza Musabelliun
Doloreza Musabelliu ishte e vetmja prokurore grua që kishte shpallur kandidaturën dhe u intervistua sot nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të qenë pasuesja e Altin Dumanit.
Ajo nuk arriti të merrte asnjë votë, por spikati për prezantimin e shkëlqyer dhe elokuencën dhe publiku u njoh me një nga prokuroret e hekurta të SPAK, të cilat përditë janë mbi dosjet e krimit dhe korrupsionit.
Një profesioniste e zbatimit të ligjit që guxoi të garonte për të drejtuar institucionin më të lartë të akuzës në Shqipëri, duke u bërë e para grua, pas më shumë se 6 vitesh nga krijimi i saj.
Vëmendjen e ka tërhequr indiferenca, për mos të thënë xhelozia, e kryetares dhe dy anëtareve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, Arta Mandro dhe Ledina Riza, të cilat nuk denjuan të mbështesnin Doloreza Musabelliun, qoftë edhe për faktin se ishte e vetmja grua.
Sikur të mos mjaftonte kjo, prej dy dekadash që nga përfundimi i studimeve, çdo ditë ka hetuar eksponentët të krimit të organizuar; 15 vite në Prokurorinë për Krimet e Rënda, dhe pas shkrirjes së saj, prej 5 vitesh në SPAK.
Doloreza Musabelliu gëzon dhe mbrojtje të posaçme, veç asaj që parashikon ligji, sepse dy vite më parë i penduari i drejtësisë Artan Tafani, tregoi se kreu i grupit ku ai bënte pjesë kishte planifikuar vrasjen në atentat të prokurores.
Sipas asaj që rrodhi në media dhe alarmoi shërbimet e sigurisë së prokurorëve të posaçëm, Laert Haxhiu kishte mbajtur nën vëzhgim prokuroren e dosjes së tij dhe familjarët e saj, si dhe po planifikonte që Doloreza Musabelliu të eleminohej në atentat.
Madje, gjatë intervistës sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ajo u pyet nga anëtarët e qeverisë së prokurorëve dhe tregoi se kur e kishte marrë vesh lajmin, ishte tronditur, por më shumë ishte shqetësuar edhe familja.
“Kur mora vesh lajmin ishte një tronditje për mua. Në atë rast unë kisha zbatuar ligjin, më tepër problematikat kanë kaluar tek familja, ata e kishin pak problem.”
Pavarësisht kërcënimeve reale dhe qëndrimit të saj stoik përballë krimit, kryetarja dhe dy anëtaret gra të KLP-së, Mirela Bogdani, Arta Mandro dhe Ledina Riza, zgjodhën që të mos e mbështesnin. Madje, anëtarja Ledina Riza është dhe vetë magjistrate, pasi ka shërbyer për rreth 29 vite si prokurore.