Flamur Noka bën “prapa ktheu”, pasi firmosi për Endrit Shabanin, thotë se nuk e mbështet: Opozita nuk e njeh lepurin e Surrelit, kaq!

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka është shprehur në seancë plenare se Endrit Shabani nuk është një kandidat i mbështetur nga opozita, për postin e Avokatit të Popullit, ndaj ai kërkoi nga mazhoranca që ose t’a lërë propozimin në dorën e opozitës, ose ta bëjë vet.

“Opozita nuk e njeh lepurin e Surrelit, Endrit Shabani, si kandidat të mbështetur nga ajo. Kaq”, u shpreh Flamur Noka.

Numri dy i Partisë Demokratike sqaroi se ka qenë traditë parlamentare që Avokati i Popullit të zgjidhet me konsensus dhe gjithmonë opozitës i është dhënë e drejta e propozimit të kandidatit. Ai mori rastin e Ermir Dobjanit, i cili ishte Avokati i parë i Popullit në Shqipëri dhe qëndroi në detyrë nga viti 2000 deri në vitin 2010.

“Është traditë parlamentare që Avokati i Popullit të zgjidhet me konsensus këtu dhe gjithmonë opozitës i është dhënë e drejta e propozimit të kandidatit. Ermir Dobjani, kur ëhstë votuar në këtë Parlament si kandidat për Avokat Populli, nuk keni qenë ju në pushtet që të inicioni ligje.

Ka qenë Sali Berisha dhe ka qenë kandidat i Partisë Socialiste përballë Sali Berishës. Ai Ermir Dobjani. Tani, cili është thelbi, zotërinj doni t’i jepni opozitës Avokatin e Popullit apo doni ta emëroni vetë?!”, u shpreh ai.

Flamur Noka sqaroi dhe përse u mblodhën votat për Endrit Shabanin, mes tyre dhe firmat e Partisë Demokratike, për të cilat tashmë është tërhequr.

“Nëse doni t’ia jepni opozitës, procesi futet në hulli institucional. Më datë 2 Dhjetor, Grupi Parlamentar u ka dërguar një njoftim, pasi Komisioni i Ligjeve që nuk mundet që një deputet të firmosë më shumë se një emër, Grupi Parlamentar ka dërguar një kërkesë për tërheqjen e të gjitha firmave për çdo pretendent për kandidat.

A, ju doni lepurin e Surrelit, sepse doni që të bëjë avokatin e Surrelit dhe partisë, dhe jo avokatin e popullit. Është çështje e juaja, zgjidhni ju, por jo ne. Avokati do jetë i partisë dhe Surrelit, por jo i popullit, Ndaj, vendosni”, përmbylli Sekretari i Përgjithshëm i PD.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT