Gazeta gjermane Bild: Shqipëria, vendi kaotik në duart e gangsterëve
Gazeta gjermane “Bild” ka analizuar situatën dhe protestat e opozitës në Shqipëri. Në një artikull tepër të ashpër e përditshmja gjermane godet kryeministrin e Shqipërisë për dështimet në qeverisjen e vendit. Media e njohur shkruan se “Shqipëria është shembulli kryesor i një vendi kaotik në duart e gangsterëve”.
Gjithashtu raporton akuzat e opozitës ndaj qeverisë për korrupsion dhe blerje të votave ndërsa thekson se vendi po drejtohet me një kushtetutë jofunksionale.
“Çfarë po ndodh në këtë shtet të Ballkanit? Tani edhe pjesa tjetër e kontinentit po e sheh se diçka nuk shkon në këtë vend, i cili ishte komplet i izoluar nën diktaturën e kohës së gurit të Enver Hoxhës mes viteve 1944-1985. Në vitin 2017 BE ka vendosur të hap negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë. “Pikërisht me Shqipërinë! Pikërisht me një shtet mafioz”, thekson gazeta gjermane.
Ndër të tjera raporton dhe shkarkimin e ministrit Xhafaj dhe Tahiri, për të cilët ka dyshime të forta për lidhje me krimin dhe grupe të trafikut ndërkombëtar të drogës.
“Bild” thekson se edhe vetë kryeministri Edi Rama rregullisht përmendet si i lidhur me trafikun e drogës. Opozita e akuzon se me para të drogës ka blerë vota.
v.l/ Dita
