Nëse NATO thotë “jo”, Shqipëria nuk mund të thotë “ndoshta”

Nga Dorin Xhima

Kompania izraelite IMI Systems, është pezulluar nga Agjencia e Prokurimeve të NATO-s (NSPA) për shkelje të rënda. Ndërsa Aleanca po mbyll dyert për këtë kompani, Shqipëria i ka hapur për furnizime që kapin miliona euro. Kjo ngre shqetësime serioze për standardet e transparencës në tenderat e mbrojtjes dhe marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë

Skandali i fundit që përfshin kompaninë izraelite “Elbit Systems”, e cila është përjashtuar përkohësisht nga disa kontrata të NATO-s për shkak të hetimeve për korrupsion, ka ndezur alarmin edhe në Shqipëri.

Pikërisht kjo kompani, sipas raportimeve mediatike, ka qenë në bisedime për furnizim armësh dhe pajisjesh për Forcat e Armatosura Shqiptare.

Ky zhvillim ngre disa pyetje thelbësore, të cilat nuk mund të mbeten pa përgjigje:

– A po bëhet Shqipëria një “fushë alternative” për kompani që kanë humbur besimin e aleatëve tanë kryesorë?

– Çfarë transparence ka në prokurimet tona ushtarake?

– A ka kontroll politik e institucional për të thënë “jo”, kur një ofertë vjen me hije korruptive?

Mbrojtja nuk është vetëm çështje armatimi, por edhe morali. Në një kontekst ku NATO po ndërton standarde më të larta integriteti dhe kontrolli mbi kontratat, një vend si Shqipëria, me ambicie për të qenë aleate e denjë, nuk mund të lejojë të bëhet strehë për marrëveshje të dyshimta.

Është koha që Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes të flasin hapur: Ka pasur marrëveshje? Janë pezulluar? Çfarë mekanizmash kemi për të verifikuar moralin e partnerëve tregtarë në fushën e sigurisë?

Nëse NATO thotë “jo”, Shqipëria nuk mund të thotë “ndoshta”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT