Anatomia e një procesi

Nga Orgen Peci

Seanca e radhës për çështjen “Partizani”, ku ish-kryeministri Sali Berisha përballet me akuzën e korrupsionit, u shty. Kjo ka ndodhur disa herë prej fillimit të procesit.

Në pamje të parë, arsyet duket se janë teknike. Por prapa kulisave qëndrojnë mekanizma më të thellë juridikë, politikë dhe proceduralë që e kanë kthyer procesin në një maratonë të ngadaltë dhe të paparashikueshme.

Po përse çështja nuk ecën me ritmin që pritet për një dosje me peshë të tillë politike? Strategjia e mbrojtjes sipas së cilës çdo shtyrje është fitore ndodh edhe gjetiu në proceset kundër ish-zyrtarëve të lartë. Në këto procese zvarritja është një nga mjetet më efektive.

Në rastin “Partizani”, mbrojtja ka paraqitur vazhdimisht kërkesa shtesë për prova, kërkesa për shtyrje për shkak të pamundësisë së paraqitjes, kundërshtime të akteve hetimore, kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve ose riinterpretim të kompetencave.

Çdo kërkesë, sado e vogël, detyron gjykatën të pezullojë ritmin, të shqyrtojë dokumentacionin dhe të vlerësojë ligjshmërinë e procedurave. Kjo sjell javë, ndonjëherë muaj humbje kohe.

Në gjykim, koha nuk është neutrale. Për të akuzuarin, zgjatja e procesit dobëson presionin publik, krijon terren për argumente procedurale dhe i jep mundësi të përdorë ndryshimet politike ose institucionale në favor të vet.

Nga ana tjetër dosja është voluminoze dhe teknike, gjykata nuk ecën dot shpejt edhe nëse avokatët e Berishëve do ishin “korrekt” me tempin. Secili prej elementëve do kërkojë ekspertizë specifike, urbanistike, juridike, financiare. Kjo e rrit sasinë e kohës që duhet për çdo seancë.

Të mos harrojmë edhe që GJKKO dhe SPAK janë të mbingarkuar me dosje të profilit të lartë. Gjyqtarët e GJKKO duhet të menaxhojnë paralelisht: çështje korrupsioni, çështje të krimit të organizuar, apelime urgjente, masa sigurie për dhjetëra dosje.

Pra ky gjykim nuk po shtyhet nga një arsye e vetme, por nga bashkëveprimi i taktikave të mbrojtjes, kompleksitetit të dosjes, ngarkesës gjyqësore dhe ndjeshmërisë politike.

Kjo kombinon modelin klasik të çështjeve të mëdha ndaj politikanëve. Ritmi i procesit është po aq pjesë e betejës sa vetë përmbajtja e tij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT