Frymë e re? Po, por e njëjta

Nga Migena Aleksi

Në Shqipëri, çdo parti e re fillon si “shpresë e madhe”. Pastaj mbërrin faza e dytë: “Mirë, nuk janë si të vjetrit…” Dhe pastaj vjen faza finale, me sa duket e pashmangshme: “Epo, edhe këta si të tjerët, zihen si qentë për një karige”

Lapaj duket se ka hyrë tashmë në fazën e tretë. Doli përpara turmës me seriozitetin e një lideri që po shkon në luftë. Vetëm se ushtria pas tij tani duket më shumë si një skuadër miqsh që kanë dalë pasdite për ajër të pastër.

Shqipëria po zgjohet – ishte një nga sloganet e partive të reja në fushatë. Shqipëria u zgjua, por për të parë që gjithçka ishte një deja-vu e lodhshme e politikës shqiptare: shumë zhurmë, shumë fjalë, në fund zhgënjim.

Çdo lider i ri deklaron se po nis “revolucionin moral”, por moralin nuk e sheh te vetja. Kishin premtuar se do sillnin energjinë që ky vend nuk e ka parë kurrë. Në praktikë, sollën një version të përmirësuar të zhgënjimit të vjetër.

Në Shqipëri, zemërimi është i madh, por besimi është i vogël. Partitë e reja pëe fat të keq bien në grackën e vjetër: shumë personalizim, shumë retorikë.

Nëse nuk arrijnë të tejkalojnë këtë cikël lodhës të pritshmërive të mëdha dhe rezultateve minimale, do të mbeten thjesht një version i butë i të vjetrave,  tráiler i një filmi që e kemi parë më parë: me fund të parashikueshëm.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT