Gjermania në krizë! Autoritetet paralajmërojnë qytetarët: Përgatituni për…

Kërcënimet e Rusisë për ndalimin e gazit për Evropën do të prekte më shumë Gjermaninë, e cila ka varësinë më të madhe.
Nisur nga kjo, kreu i Agjencisë Rregullatore gjermane për Energjinë Klaus Mueller, i bëri thirrje popullatës të shtunën të kursejë energjinë, e të përgatiten për dimrin, periudhë gjatë së cilës përdorimi i gazit rritet. Mueller u bëri thirrje konsumatorëve familjarë të kontrollojnë dhe rregullojnë kaldajat si dhe radiatorët e gazit për të maksimizuar efikasitetin e tyre.
“Mirëmbajtja, mund ta ulë konsumin e gazit me 10% deri në 15%“, tha ai për gazetën gjermane “Funke Mediengruppe”.
Apeli vjen ndërsa në fillim të këtij muaji Rusia reduktoi sasinë e gazit që eksporton drejt Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë dhe në një kohë kur vendet e Bashkimit Evropian po hasin në vështirësi për të siguruar sasi rezervë karburanti.
Kompania shtetërore ruse Gazprom bëri të ditur se shkaku i reduktimit të sasisë së gazit natyror ishte një problem teknik me tubacionin Nord Stream 1, një gazsjellës që kalon nën Detin Baltik, e transporton gaz nga Rusia në Gjermani.
Kompania tha se pajisjet që po riparohen në Kanada kishin ngecur atje për shkak të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë lidhur me luftën e saj në Ukrainë. Udhëheqësit gjermanë e kanë hedhur poshtë këtë pretendim dhe e kanë quajtur uljen e sasisë së gazit, një veprim politik, si reagim ndaj sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Moskës.