Kush po e varros skandalin e Unazës

Bedri Islami

Jo shumë kohë më parë, vetëm disa muaj, jo papritur dhe jo rastësisht, shpërtheu njëri ndër skandalet më të bujshme, më të hapura dhe më të pafytyra të qeverisë së tashme: një firmë fantazmë, më shumë se fantazmë, e falsifikuar plotësisht dhe pas së cilës fshihej, sipas “Zërit të Amerikës”, një biznesmen shqiptar, Bashkim Ulaj, i njohur për lidhjet e tij me politikën dhe si një urë ndërmjetëse financiare mes trupës së lartë së tashme qeverisëse dhe asaj që kishte shkuar. Njeriu me njërën këmbë tek ish-kryeministri Berisha dhe me tjetrën tek kryeministri i tashëm, Rama, krijoi përmes falsifikimeve lehtësisht të gjurmueshme, por që nuk u ndoqën kurrë nga strukturat qeverisëse, përmes së cilës fitoi dy tenderë, njëri nga të cilët ishte pikërisht ai i Unazës së Re.

Skandali i zbuluar nga mediat fillimisht dhe, më pas i ndjekur nga shërbime jashtë Shqipërisë, krijoi precedentin e parë, më të rrezikshëm, të bashkëpunimit, qoftë të heshtur, qoftë sylesh, mes një institucioni shqiptar, i cili nuk ndoqi asnjë procedurë normale dhe, nga ana tjetër, një biznesmeni, i cili delegoi tek firma mashtruese, fantazmë gjithë njerëzit e tij, që nga përthyesja e deri tek specialistët, dhe, duke u trimëruar nga ortakllëku me qeverinë, nuk mori as mundimin të fshihte gjurmët, duke shkuar deri në një kapardisje të pabesueshme, adresën e firmës mashtruese, të paqenë, si krijesë e një recepsionisti, e dërgoi tek zyrat e tij.

Tani të gjithë janë të njohur me këtë skandal, që më shumë se sa do të rëndonte financat e shtetit, do të sillte përmbysjen e çdo norme normale, financiare e juridike, vendosjen e pushtetit nën këmbët e oligarkisë financiare, thyerjen përfundimtare të çdo njësie besimi dhe saktësie, mposhtjen e gjithë strukturës pushtetore.

Milionat e eurove, të cilat, sipas disa të dhënave, është e mundur që as nuk do të shkonin tek biznesmeni i fuqishëm politiko–financiar, ka qenë e mundur të shpërndaheshin nëpër bosët e politikës, ndërsa vetë Ulaj të shpërblehej me tendera të tjerë, fantazmagorikë për nga çmimi, si ajo e autostradës drejt Kasharit, ku një kilometër do të kushtonte 20 milionë euro apo ndërtimet shumëkatëshe që po shtohen.

Buja që u bë ishte e madhe dhe e drejtë. Ndërsa në rrugë protestohej nga banorët e një pjese të Unazës së Madhe, të cilët, në një shumësi ishin zaptues tokash, por edhe pjesë e asaj katastrofe kadastrale që ka ndodhur në vendin tonë, qeveria lidhte kontrata shumë milionëshe me një firmë që kishte falsifikuar gjithçka, me një recepsionist që nuk kishte asnjë aktivitet financiar, që nuk kishte as makineri, as përvojë, as kantier dhe as punonjës në organikën e tij.

Ministri Gjiknuri as nuk denjoi të bënte sprovën më të vogël për të gjetur të vërtetën, një mundësi për të dëshmuar se e kishte seriozisht detyrën e tij.

Shefi i qeverisë Rama, duke dashur të lajë gojën, na tha se këto ndodhin edhe në vende të tjera, por nuk e shpjegoi kurrë se si kishte ndodhur në vendin e tij, në kohën e tij dhe nën pushtetin e tij. Për të ishte e mjaftueshme të hidhte një lumë të çastit, duke pritur një ndodhi tjetër, e cila do të harronte skandalin dhe do i dërgonte mendtë në një fushë ku mund të niste një betejë të re.

Tani për skandalin heshtin te gjithë qeveria, e cila është në interesin e saj të heshtë, opozita – që duket ka lidhur një marrëveshje tjetër heshtje me qeverinë.

Kemi një bashkëfajësi heshtje të dyfishtë. Qeveria që duhet të ndriçojë deri në detaje.

Opozita që nuk e përmend më “betejën e saj kundër korrupsionit” dhe e ka harruar skandalin, që ishte pak muaj më parë si kali i betejës së saj, duke se ka rënë nga kali në batakun e marrëveshjeve të fshehta.

Nëse për dosjen 339 apo një dosje tjetër, ka mijëra fashikuj dhe duhen zbardhur qindra regjistrime, në këtë rast gjërat janë më të thjeshta: hetimi duhet nisur nga ata që e fabrikuan falsifikimin, nga ata që bashkëpunuan për këtë falsifikim dhe deri tek ata që e pranuan këtë falsifikim duke dhënë miliona euro si në mallin e askujt.

Ata që e fabrikuan falsifikimin mund të fshihen pas emrit të një djali të arratisur, por edhe më budallai e di se ai nuk është asgjë tjetër, veçse masha dhe që tani gjërat u dogjën, atij i mbeti hiri i largimit nga vendi. Çuditërisht u largua pa asnjë ferrë në këmbë, ndoshta edhe i përcjellur nga disa njerëz pranë qeverisë dhe biznesmenit.

Të tjerët janë ende në këtë vend.

Për falsifikimin bashkëpunuan shumë vetë. Ata janë këtu. Njihen. Me emër, mbiemër, detyrë funksionale, pasuri që kanë.

Të tretët, ata që e pranuan këtë falsifikim, megjithëse e dinin, nuk mund të jenë vetëm një ministër i larguar nga detyra, që mori pas vetes gjysmën e qeverisë dhe as një drejtor rrugësh, që nuk do të kishte guxuar kurrë ta bënte i vetëm këtë. Peshku i madh gjendet diku tjetër.

Opozita, si në një marrëveshje me qeverinë, ka heshtur plotësisht. Duket tek Astiri vetëm një ish deputet, më i pamendti mes të gjithëve, që rreh gjoksin dhe bën thirrje për zvarritje të shefit të qeverisë, megjithëse e di fare mirë se i merr të keqen atij. Ai naiv trimërosh nuk e di se pas shpatullave të tij bëhen marrëveshje murmbajtëse qeveri–opozitë.

Përse hesht opozita? Bashkim Ulaj, më shumë se njeri i Ramës, është i Berishës, eminenca financiare e tij. Ndoshta e klanit të ri në PD. Një njeri i rrahur me vaj e uthull si ai nuk e lëshon shpejt kalin e shkuar,duke menduar se do i vijë koha përsëri. Të jetë vetëm hija e Berishës që bën heshtjen e opozitës, apo kanë hyrë në lojë “ kunetërit” e tashëm?

Politika, pozitë dhe opozitë dhe anasjelltas, e gjitha bashkë, është e zhytur në krime me oligarkët.

Çështja si kjo, ku ndërlidhet në trish–politika qeveritare–heshtja opozitare – oligarkia financiare janë testi i më i madh dhe më i kërkuar nga njerëzit nga drejtësia e re. Do të veprojë ajo apo, si deri më tani, do të bëhet palë me krimin? Do të ketë shkundje të saj apo gjumi letargjik ende nuk u ka dalur?

Shkuarja deri në fund e çështjeve të tilla përcaktojnë dy gjëra themelore:

Së pari, drejtësia është ndarë nga politika dhe se kjo ndarje do të fillojë të jetë përfundimtare, e plotë, pa ekuivok, dhe

Së dyti, do të përcaktohet qartë nëse kjo reformë ia ka vlejtur, është e duhura, ajo që presin e shpresojnë njerëzit dhe për të cilën kanë investuar dhjetëra miliona partnerët ndërkombëtarë.

Institucione të fuqishme mbështetëse jashtë Shqipërisë janë të interesuara që drejtësia shqiptare, edhe në këtë rast, ku skandali i dyfishtë, në dy tenderë të mëdhenj, përmes një firme mashtruese , bën “muuuu”, të ndiqet me përparësi, jashtë ndikimeve politike, deri në fund dhe pa asnjë dhimbje se kush mund të qëndrojë pas saj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT