Meta dekoron me “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh”, një mësues dhe një futbollist nga Berati

Presidenti Ilir Meta ka ndarë dy tituj për dy figura të qytetit të Beratit, mësuesin Kristaq Capo si dhe futbollistin Robert Kokalari.

Të dyja propozimet i janë bërë kreut të shtetit nga shoqata “Antipatrea Berat”.

Nderi i Kombit për mësuesin që iu bashkua rezistencës anti-fashiste

Me propozim të Shoqatës “Antipatrea Berat” ishte kënaqësi të vlerësoja me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” mësuesin patriot beratas, Kristaq Capo, i cili jo vetëm shërbeu me përkushtim atdhetar në edukimin e shumë fëmijëve në disa rrethe të vendit, por edhe iu bashkua Rezistencës Antifashiste, që në 7 prill ’39 me armë në dorë.

Kristaq Capo u dallua si një nga udhëheqësit kryesorë të Luftës Antifashiste në Qarkun e Beratit duke frymëzuar të rinjtë dhe të rejat për t’iu bashkuar luftës antifashiste dhe ishte promotor i shumë aksioneve të suksesshme kundër pushtuesit.

Ashtu si edhe shokët e idealeve Margarita dhe Kristaq Tutulani ai u arrestua tradhëtisht duke u ekzekutuar pas pesë ditë torturash çnjerëzore.

Berati i dha Luftës për Çlirimin e Atdheut djemtë dhe vajzat më të mira, nga familjet më qytetare dhe patriotike, ashtu siç i takon këtij qyteti me histori dhe tradita atdhetare.

Ndaj duke nderuar heroizmin e Kristaq Capos nderojmë gjithë atë gjeneratë idealistësh, që bënë sakrificat më sublime për Lirinë.

Mjeshtër i Madh për mbrojtësin e ekipit të Tomorrit

Edhe pse “biografia” nuk i dha asnjëherë mundësinë të vishte fanellën e Kombëtares jashtë vendit, nuk ia zbehu kurrë shkëlqimin e talentit të jashtëzakonshëm, Robert Kokalari, një prej qendërmbrojtësve më të mirë të futbollit tonë.

Ai së bashku me Kovaçin, Arbërin, Milen, Matrapazin dhe kolegë të tjerë e ngritën ekipin “Tomorri” në nivelet më të larta të futbollit kombëtar.

I grumbulluar shumë herë, Kokalari u lejua të luante vetëm disa ndeshje ndërkombetare ku kontributi i tij mbetet i çmuar sidomos në fitoren e Shpresave kundër Austrisë dhe me barazimin në Shkodër ndaj R.F. të Gjermanisë.

Roberti me vëllain e tij Arben Kokalarin janë pjesë e historisë, jo vetëm të futbollit beratas, por edhe e krenarisë të këtij qyteti.

Ndaj e prita me kënaqësi propozimin e Shoqatës “Antipatrea Berat” për t’i akorduar Robert Kokalarit Titullin “Mjeshtër i Madh”, me mirënjohje dhe vlerësim për talentin dhe ndihmesën e dhënë me pasion për zhvillimin cilësor të futbollit tonë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT