Për herë të parë / Hollanda kërkon ndjesë për rolin e paqeruajtësve të saj në gjenocidin e Srebrenicës

Hollanda ka kërkuar për herë të parë ndjesë për rolin e trupave të saj paqeruajtëse në gjenocidin e Srebrenicës, ku si sot 27 vite më parë trupat serbe vranë rreth 8,000 myslimanë boshnjakë.
Paqëruajtësit holandezë, të paarmatosur dhe të shumtë në numër, nuk ishin në gjendje të parandalonin forcat serbe të Bosnjës që të pushtonin “strehën e sigurt” të shpallur nga Kombet e Bashkuara në qytetin e Srebrenicës në fund të luftërave rajonale në vitet 1990.
Gjatë një jave gjakderdhjeje në korrik të 1995-ës, burrat dhe djemtë myslimanë boshnjakë u ndanë nga gratë dhe u dërguan në vendet e ekzekutimit ku u masakruan. Trupat e tyre u hodhën në varre masive.
“Vetëm një palë është fajtore për gjenocidin e tmerrshëm: ushtria serbe e Bosnjës,” tha këtë të hënë ministrja holandeze e Mbrojtjes Kajsa Ollongren gjatë një vizite në Bosnje dhe Hercegovinë për të përkujtuar gjenocidin.
“Por më lejoni të jem e qartë. Komuniteti ndërkombëtar dështoi të ofrojë mbrojtje adekuate për popullin e Srebrenicës dhe si pjesë e këtij komuniteti qeveria holandeze ndan përgjegjësinë për situatën në të cilën ndodhi ai dështim. Dhe për këtë ne ofrojmë faljen tonë më të thellë,” tha Ollongren, duke vënë dorën në zemër.
“Ngjarjet e vitit 1995 çuan në vuajtje të thella njerëzore që janë të dukshme këtu edhe sot e kësaj dite. Ne nuk mund t’ju çlirojmë nga kjo vuajtje. Por ajo që ne mund të bëjmë është ta shikojmë historinë drejt e në sy”, tha ajo.
Gjykata holandeze kishte vendosur më herët se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për rënien e Srebrenicës dhe duhej të jepte kompensim për të mbijetuarit.
Qeveria holandeze dha dorëheqjen për shkak të këtij zhvillimi në vitin 2002, me kryeministrin e atëhershëm Ëim Kok duke thënë se qeveria pranoi përgjegjësinë e saj për masakrën, por jo fajin.