Açka i del në mbrojtje ish-kryeministrit, apel deputetëve: Boll ia ndollët vdekjen Berishës, jeni të detyruar ta respektoni

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, i ka kërkuar kolegëve të saj në Kuvend që të mos i ndjellin më vdekjen ish kryeministrit Sali Berisha.
Ajo u bëri apel atyre që mos t’i përmendin më vdekjen qoftë dhe atë politike. Sipas Açkës Berisha sa kohë që është në Parlament ka të drejtën e fjalës.
Gjithashtu ajo i kërkoi deputetëve që të kenë më shumë respekt ndaj kolegëve dhe të kujdesen për etikën.
“Në këtë Parlament fjala vdekje përsëritet aq shpejt sa është kthyer në një makth për ata që ju dëgjojnë nga jashtë. Ky Parlament nuk duhet të flasë për vdekjen por për jetën, për shpresën. Njerëzit e përdorin për Sali Berishën, ju i dini qëndrimet e mia për Sali Berishën, por askush nuk mund t’i përmendë vdekjen njeriut, sa kohë tjetri është në Parlament dhe ka të drejtën e fjalës së tij. Më duket një gjë shumë e shëmtuar, që përmendet kaq shpesh fjala vdekje.
Ju këshilloj të ristrukturoni sensin dhe njerëzve t’i jepni të drejtën të vdesin ashtu siç ata mendojnë se duhet të vdesin, në këmbë, ulur shtrirë, është drejta e tyre dhe për sa kohë janë në parlament jeni të detyruar të respektoni dhe të përmendi sa më pak fjalën vdekje, kjo është këshilla ime”, tha Açka gjatë fjalës së saj në Kuvend.