“Pamë vetëm kapelen sipër ujit” / Flet roja i plazhit: Si u mbyt 18-vjeçari HERO në Durrës

Roja i plazhit, Igli Shahinaj ka treguar se si 18-vjeçari Anri Kashiku nuk ka arritur të shpëtojë në momentin që u fut në det për të shpëtuar të vëllain dhe shokun.
Ai ka treguar se kur është nisur për t’u futur në det pasi pa dy të miturit, bashkë me të është futur dhe viktima bashkë me një person tjetër në plazh.
“Pamë dy persona që kishin hyrë në det edhe ngaqë kishim flamurin që nuk lejohet vrapuam direkt për t’i ndihmuar të miturit që nuk dëgjonin thirrjet. Bashkë me mua vjen vëllai i tij dhe një puntor i zonës këtu për të na ndihmuar”, tha roja i plazhit.
Në momentin që kanë nxjerrë të miturit nga deti pa ndjenja, kur kanë kthyer kokën nuk kanë parë 18-vjeçarin. Ata kanë arritur të shohin vetëm një kapele sipër ujit dhe nuk kanë mundur dot ta shpëtojnë Anrin, i cili më vonë u nxorr i pajetë nga policia.
“Morëm dy trupat e vegjël që kishin humbur ndjenjat dhe u munduam t’i nxirrnim shpejt në det për t’i dhënë ndihmën e parë nga ambulanca, por personi i tretë ishte mbrapa nesh dhe kur kthyem kokën për ta parë ku është personi, pamë vetëm një kapele sipër detit. Vrapuam me shpejtësi për ta parë, por vetëm kapelja ishte aty nuk mundëm ta ndihmonim dot”, shtoi më tej ai.