Golemi është plot, më mirë se çdo verë (VIDEO)

Drejtuesi i rrjetit të hotelerisë Hotel Flower dhe Hotel Garden Oltian Caci thotë se e gjithë zona e Golemit, është në ditët më të mira se çdo sezon tjetër turistik. Këtë sukses në këtë sezon Caci ia atribuon stabilitetit të kontratave dhe sjelljes korrekte me klientët e përhershëm.

Edhe pse shton se këtë vit ka klientë që nuk i kishte menduar kurrë se do të vinin të pushonin në hotelet e tij, apo në të gjithë zonën e Golemit.

Sa i përket ankesave për turizmin këtë sezon, Caci thotë se pas 15 korrikut e deri në shtator do të ndihet fluksi i vërtetë i turizmit në Shqipëri.

“Për ne ky është një nga vitet më të mira në turizëm. Mbase ndikon arsyeja që jemi në një zonë të populluar, zona më tërheqëse për stilin e turizmit që ne po ndjekim. Një arsye tjetër është se zona ka kontrata me kompanitë e huaja që e fillojnë turizmin që në maj.

Të gjitha këto ndikojnë që hotelet e zonës të jenë në kapacitetet 95%, nga maji deri në fund të shtatorit. Ka një perceptim për ulje të numrit të turistëve shqiptarë. Këtë e ndjejnë më shumë zonat e jugut duke pasur parasysh që këto dy vitet e fundit kishin klientelë shqiptare të shtuar.

Por tashmë ajo iu kthye normalitetit, pasi tani ajo klientelë zgjedh destinacione të reja. Por historikisht turizmi i jugut ka nisur më 15 korrik dhe mbaron në 31 gusht. Pra 45 ditë që janë të plota, plus edhe fundjavat e majit, qershorit dhe shtatorit.

Kjo ka qenë një javë normale e turizmit në Shqipëri dhe mori një perceptim të gabuar këto dy vjet duke qenë se turistët shqiptarë nuk mund të iknin jashtë dhe mbushën destinacionet vendase.

Menduam se gjithmonë do të jetë kështu. Kjo është prej arsyeve, një tjetër arsye është edhe propaganda mediatike, që në fakt nuk e ka ndihmuar aspak turizmin vendas.

Dëgjojmë gjatë gjithë kohës çmime të shtrenjta, çmime të shtrenjta, por nuk është e vërtetë. Jo të gjitha vendet kanë çmime të shtrenjta. Por ne fatkeqësisht tregojmë gjithmonë vetëm rastet ekstreme. Kështu njerëzit janë tkurrur pak, por edhe nga kriza ekonomike.

Por kam përshtypjen që nga 15 korriku deri në 10 shtator gjithë sezoni i jugut do të jetë i mbipopulluar. Ne gjithmonë do t’i referohemi gushtit si njësi matëse për çdo sezon. Por gushti nuk ka ardhur akoma! Unë jam i bindur se në Shqipëri, turizmi është në rritje”, u shpreh Caci në Dritare TV.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT