I dhanë firmat Endrit Shabanit, Berisha pranon gabimin: Ta gëzojë Rama, ne do t’i përgjigjemi

Kryedemokrati Sali Berisha në takimin me qytetarët e Elbasanit pranoi gabimin e hedhjes së firmave për Endrit Shabanin, i cili garoi dhe fitoi postin e Avokatit të Popullit me votat e mazhorancës.
Berisha tha se PD bëri gabim për hedhjen e firmave, të cilat sipas tij u dhanë kur Shabani u premtoi mbështetjen për Florjan Binajn dhe se më pas u tërhoqën, akt i cili nuk iu njoh.
Lideri demokrat thotë se ditën e nesërme kryesia e PD do të mblidhet dhe do të shpalosë të gjitha vendimet ku dhe do të diskutohet për betejën finale.
“Ne bëjmë dhe gabime.
Gabim ishte shumë ajo që ju patë dhe unë e kuptoj që ju jeni të mërzitur me këtë, me këto firmat ndaj Endri Shabanit, avokatit të Edi Ramës.
Dhe u kërkoj ndjesë unë juve dhe të gjithë shqiptarëve për ato firma që janë vënë, të cilat në të vërtetë u dhanë në një periudhë që u krijua një mbështetje për kandidatin e pavarur për Tiranën, nga të gjitha partitë politike.
Por ato firma u tërhoqën, ta dini mirë. Megjithëse u tërhoqën me firmë. Secili që firmosi, me firmë tërhoqi firmën.
Natyrisht, Edi Rama në mënyrën më të pa skrupull, e zgjodhi atë. E gëzoftë edhe Shabanin e tij. Ne do t’i përgjigjemi.
Nesër mblidhet kryesia dhe i komunikon të gjitha vendimet.
Por, mbi të gjitha, kryesia do marrë vendimet për t’u angazhuar në betejën vendimtare, betejën finale. Kjo është beteja finale e demokratëve”, tha Berisha.