Berisha “ndjek” shembullin e Salianjit, shkon në Elbasan për të takuar demokratët: Çfarë nuk na kanë bërë ne, jemi opozita e parimeve
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me qytetarët e Elbasanit. Berisha e ka nisur fjalën e tij duke përmendur sulmet e mazhorancës drejt opozitës duke thënë se Edi Rama ka kërkuar që t’i zhdukë.
Berisha thotë se demokratët janë njerëz të idealeve nisur që nga kryengritja e vitit 1990 e vijon të “ankohet” dhe për sot duke thënë se është krim të sulmosh një opozitë që është e ngritur vetëm mbi parime njerëzore.
“Sonte është një ditë e veçantë në historinë e demokracisë, në historinë e lirisë së shqiptarëve. Revolta e qytetarëve të Elbasanit 35 vjet më parë në qytet, në kombinatin metalurgjik, revoltë në të cilën as tanket, as autoblindat dhe asgjë nuk mposhtën burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat guximtarë, por përkundrazi data 12 gjer në 14 u shndërrua në një arenë të madhe përleshjesh, në të cilat regjimi shpalosi të gjithë dhunën e tij, por Elbasanin dhe elbasanllijtë nuk i mposhti.
Ishin një kalvar i paparë në historinë e Europës, që forca jonë politike, forcë e lirive dhe dinjitetit njerëzor, forcë e vokacionit e shpirtit perëndimor të kombit tonë, forcë e interesit kombëtar të shqiptarëve, forcë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe NATO, u përball me një agresion si asnjë forcë tjetër politike, me qëllimin e vetëm Shqipëria pa opozitë. Sepse pasardhësi i xhelatit të intelektualëve shqiptarë, Kristaq Rama, kërkon një Shqipëri si etërit e tij.
Shqipëria pa opozitë apo me një fals opozitë ishte një vendim makabër jo vetëm i Edi Ramës, por dhe i George Soros dhe mafies ndërkombëtare. Mirëpo ne demokratët jemi njerëz të idealeve. Në 1990-ën ne u ngritëm për idealet e lirisë. Në 1990-ën ne u ngritëm për interesin kombëtar. Ne u ngritëm për integrimin e Shqipërisë në Europë. U ngritëm pra për besimin tek Zoti, tek familja, dhe këto vlera janë sa hyjnore, aq dhe tokësore. Është një krim i shëmtuar të sulmosh një forcë politike që u përmbahet parimeve më të larta njerëzore. Por kjo ndodhi. Çfarë nuk u bë ndaj nesh”, tha ndër të tjera Berisha.
Që prej 11 majit, Berisha nuk kishte zhvilluar takime me demokratët nëpër qarqe. Të vetmet angazhime të tij janë mbajtur në Tiranë. Ndërkohë ish-deputeti Ervin Salianji ka nisur të takojë qyetetarët i pavarur nga partia dhe ndoshta kjo ka shërbyer për të vendosur në lëvizje dhe Berishën.