“Tani e ka radhën Moldavia të pushtohet”/ Kryeministrja ngre alarmin: Rusët po afrohen në kufi…

Kryeministrja e Moldavisë ka ngritur shqetësimin se vendi i saj mund të jetë shënjestra e radhës e Rusisë, për t’u pushtuar.
Duke parë lëvizjet e ushtrisë së Vladimir Putinit dhe ofensivës së tyre në Ukrainën jugore dhe lindore,Natalia Gavrilita deklaroi se kufiri i vendit të saj rrezikohet çdo ditë e më shumë.
Ndër të tjera, analistët besojnë se Kremlini po përpiqet të krijojë një urë tokësore midis territorit të pushtuar nga Rusia në Ukrainën lindore dhe Transnistria – një rajon separatist i mbështetur nga Rusia – në mënyrë që të shkëputë Ukrainën nga Deti i Zi.
Transnistria kontrollon një rrip të ngushtë toke që gjendet kryesisht midis lumit Dniester dhe kufirit Moldavio-Ukrainë. Ajo shpalli pavarësinë nga Moldavia pas një konflikti të shkurtër ushtarak në 1992, por ndërkombëtarisht ende njihet si pjesë e vendit të Evropës Lindore.
“Për momentin është një skenar hipotetik, por nëse veprimet ushtarake lëvizin më tej në pjesën jugperëndimore të Ukrainës dhe drejt Odesës, atëherë sigurisht që ne jemi shumë të shqetësuar”, tha Gavrilita për CNN.
“Ne jemi shumë të shqetësuar, veçanërisht duke pasur parasysh që trupat janë në territorin e rajonit secesionist të Transnistrisë. Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për të ruajtur paqen dhe stabilitetin dhe për të siguruar që luftimet të mos përshkallëzohen.”- shtoi ajo.
Me vetëm 2.5 milionë banorë, Moldavia është një komb i vogël, veçanërisht kur krahasohet me Ukrainën fqinje, e cila kishte një popullsi prej mbi 40 milionë banorësh përpara se të fillonte pushtimi i Putinit më 24 shkurt.