PRITET HAPJA E DOSJES / I spiunuari nga Ilir Meta i kërkon Autoritetit akses mbi dosjen me 140 faqe (DETAJE)

U spiunua nga Ilir Meta gjatë tentativës për t’u arratisur jashtë shtetit, por sot, pas më shumë se 30 viteve, Filip Talo kërkon të ketë akses mbi dosjen e ish-Sigurimit të Shtetit.
Newsbomb.al mëson se Filip Talo ka paraqitur sot kërkesë te Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për të pasur akses në dosjen me 140 faqe për të dhe ish-shokun e dhomës Ilir Meta.
Sakaq, Autoriteti i Dosjeve pritet të nisë tashmë procedurën për deklasifikimin e dosjes në fjalë, pasi Talo i cili është një prej personave të përmendur ka kërkuar një gjë të tillë.
Filip Talo u spiunua nga Ilir Meta gjatë tentativës për t’u arratisur jashtë shtetit. Sigurimi i Shtetit arriti ta kapte Talon në kohë, por vendosi që ta rekrutojë edhe atë së bashku me Ilir Metën.
Talo i rrëfeu Metës planin e tij për t’u arratisur në Greqi në vitin 1988-89, pasi të dy ishin shokë dhome. Por Meta vendosi ta spiunojë, madje u shfaq edhe si dëshmitar në gjyq kundër tij.
Me hapjen e dosjes pritet të marrë fund misteri nëse shtetasi I.M që e spiunoi Talon është ish-presidenti Ilir Meta, apo ndonjë person tjetër.
Ky i fundit ka rrëzuar pretendimet duke kërkuar gjithashtu transparencë përmes publikimit të dosjes. Ndërsa Autoriteti i Dosjeve iu përgjigj ditën e sotme duke thënë se informimi mund të kryhet vetëm përmes rrugëve zyrtare.